Tirana e sezonit të ri funksionon në mënyrë të përsosur. Bardheblutë fituan 3-0 me Apoloninë në kryeqytet në ndeshjen e parë të kampionatit, duke ju falur golave të Elis Bakajt, Ndikumanës e Hyshmerit. Përtej disa gabimeve në mbrojtje dhe një fillimi disi të vështirë, bardheblutë treguan se janë një skuadër dhe se Magani e ka kolauduar mirë ekipin. Në krahun tjetër, Apolonisë nuk i mbetet gjë tjetër veç keqardhjes për rastet e shpërdoruara kur shifrat ishin të barabarta. Sipërmarrja e drejtuesve të klubit për të hapur dyert e stadiumit për tifozët dha efektin e saj, teksa tribuna D2 ishte e tëra pothuajse e mbushur me tifozët që mbështetën skuadrën. Fillimi megjithatë ishte më i mirë me Apoloninë, që shfrytëzoi disa vendosje jo të mira në mbrojtje të bardhebluve, aq sa që në minutën e 6-të, Çanka u shfaq i vetëm përballë portierit Frashëri, por nuk realizoi dot. Tirana u përgjigj me Ndikumanën, që gjithashtu e dërgoi topin jashtë. Në të 16-tën Çanka pati një tjetër mundësi por nuk arriti t’i jepte Apolonisë epërsinë. Atë që nuk bënë miqtë e bënë vendasit në të 24-n, me Morinën që u shkëput në të djathtë duke pasur në qendër për Bakaj, i cili e dërgoi qetësisht topin në rrjetë.
Një rast të ngjashëm pati dhe Bushiç në të 43-tën, por sulmuesi i ardhur nga Vllaznia gaboi në mënyrë të pabesueshme. Gjithsesi bardheblutë e vunë në shinat e duhura ndeshjen në minutën e 58-të, kur Ndikumana, më i miri në fushë, me një goditje të bukur e çoi rezultatin në 2-0.
Në minutat e mbetura Tiranai afrua në më shumë se një rast golit të tretë, por Ndikumana dhe Bushiç falën sërish Apoloninë përpara se ish-lojtari i Partizanit, Renato Hyshmeri, të vuloste suksesin 3-0 të 24 herë kampionëve të Shqipërisë.
PARTIZANI – Laçi dhe Partizani e nisën me një barazim 1-1 kampionatin, duke ndarë nga një pikë në përballjen e tyre, që pa të kuqtë dominues në pjesën e parë e Laçin që luajti më mirë në të dytën. Vendosën golat e Raçiçit për kryeqytetasit dhe Dokut për kurbinasit në pjesën e dytë.
Partizani e filloi shumë mirë ndeshjen, duke e mbyllur Laçin në gjysmëfushën e tij. Të kuqtë, të mbështetur dhe nga një numër i madh tifozësh të ardhur nga Tiran,a u ndjenë si në shtëpi aq sa në që në minutën e parëiju afruan golit me Vatnikajn që goditi mbi traversë. Ekipi i Shpëtim Duros e vazhdoi dominimin dhe në minutën e 10-tën pati një mundësi me një goditje dënimit të fituar nga Vila pas një faulli të Sefgjinit. Ndërsa në të 20-tën, Vila bëri gjithçka mirë në driblim dhe në goditje, por u ndal nga shtylla. Laçi e kishte të vështirë të ishte i rrezikshëm dhe të vetmet raste në pjesën e parë i krijoi Xhejms. Golin që nuk shënoi në pjesën e parë, Partizani e shënoi në fillimin e së dytës, me Raçiçin, që i harruar i vetëm në zonë e depozitoi topin në fundin e rrjetës.
Disavantazhi zgjoi Laçin, që provoi sërish me Xhejms, por goditja e tij ishte shumë e lehtë për duart e portierit Alban Hoxha. Tifozëve vendas nuk iu desh të prisnin shumë për të festuar, pasi në të 55-tën, Xhejms pasoi saktë për Dokun, i cili e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë nga pak metra.
Partizani, që deri në ato momente kishte luajtur më mirë, u përgjigj me një përpjekje nga jashtë zone të kapitenit Nexhipi, por portieri Vujadinoviç u tregua i saktë. Rastin më të mirë e pati Xhejms në të 62-tën, por Hoxha ndali gjuajtjen e sulmuesit vendas. Në minutat e mbetura të dyja ekipet u përpoqën për të gjetur fitoren, por nuk ia arritën dhe ndanë nga një pikë që ka vlera për të dy skuadrat.
KUKËSI – Fillim i mbarë edhe për Kukësin e Artim Shaqirit, që mori tri pikë mjaft të rëndësishme në “Loro Boriçi” përballë Vllaznisë. Nënkampionët kaluan të parët në epërsi me anë të sulmuesit Pero Pejiç në minutën e 35-të, por dy minuta nga fundi i pjesës së parë shkodranët gjetën golin e barazimit me Arenc Dibrën. Vilfor Hysa, në minutën e 58-të, ishte autori i golit të fitores për kuksianët, teksa deri në fund veri-lindorët arritën të ruanin epërsinë dhe fitoren 2-1.