Munir El Hadadi nuk duhet të jetë aspak supersticioz. Macja e zezë që doli në fushën e “Kamp Nou-t” në minutat e para të sfidës me Elçen nuk e trembi. Përkundrazi, Barcelona e Luis Enrikes debutoi me një fitore të pastër në këtë sezon të La Ligas. Në një mbrëmje ku u pa Mesi më i mirë, ishte 18-vjeçari spanjoll me origjinë marokene ai që mori duartrokitjet e pjesës më të madhe të publikut. Shënoi një gol, duke shfrytëzuar asistin e Rakitiç, goditi traversën me një të majtë të fortë si dhe luajti me shumë personalitet. Ovacionet e publikut katalanas në momentin e zëvendësimit me Pedron ishin plotësisht të merituara. Jo keq për një futbollist të ri që dje debutoi në La Liga.
Munir duket nga ata të rinj që i djeg etapat. Ndaj Elçes shënoi një rekord të ri, sepse u bë futbollist me moshë më të re që shënon në ndeshjen hapëse të kampionatit. Munir e fitoi vendin e titullarit për shkak të mungesave së Suarezit dhe Nejmarit, por edhe si rrjedhojë e formës jo të mirë fizike të Pedros. Djaloshi e ka bindur Luis Enriken gjatë fazës përgatitore, ku shënoi 4 gola.
Emri i Munir nisi të bënte xhiron e botës më 14 prill të këtij viti. Në finalen e Championsit për të rinj, Barcelona mposhti 3-0 Benfikën, me marokenin që realizoi një dygolësh (njëri nga mesi i fushës). E mbylli këtë kompeticion në kuotën e 11 golave në 10 ndeshje, pra në krye të listës së golashënuesve. Në skuadrën B të Barcelonës ka luajtur vetëm 11 ndeshje, sepse menjëherë iu bashkua ekipit të parë, pasi në drejtim të tij erdhën oferta nga klube të mëdha europiane.