Pas shumë “stacionesh” të përfolura nga mediat, pas tratativash me disa klube, tashmë është zyrtare. Futbollisti i kombëtares sonë kuqezi, Valdet Rama, ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Mynih 1860. Skuadër kjo, që militon në Bundesliga 2, raporton Panorama Sport.
Në njoftimin përkatës në faqen zyrtare të klubit gjerman shkruhet:
“Valdet Rama mund të luajë në të dy pozicionet e jashtme, në sulm, është shumë i shpejtë dhe driblues,” – e përshkruan Gerhard Poschner 26-vjeçarin, i cili sezonin e fundit luajti për Real Valadolid në La Liga (Spanjë).
Ai është pjesë e ekipit kombëtar shqiptar (dhjetë ndeshje, tre gola), e njeh mirë Bundesliga 2, sepse ka luajtur në sezonin 2008-2009 me FC Ingolstadt. Ai gjithashtu ka qenë pjesë e Hanover 96 në Bundesligë.
“Është mirë që kthehem në Gjermani,” – thotë Valdet Rama, duke kërkuar ta kryejë sa më mirë rolin e tij të ri me “Luanët”. Valdet Rama ka lindur më 20 nëntor 1987 në Mitrovicë, por është rritur në Gjermani. Ai u trajnua nga viti 2005 në Rot-WEssen, para se të lëvizte për te VfL Wolfsburg, ku u aktivizua deri në vitin 2008, në 65 ndeshje me ekipin e dytë të Bundesligës. Më pas kaloi te Ingolstadt dhe Hanover, provoi edhe Orebro SK në vitin 2011. Në vitin 2013 u transferua në ligën e parë spanjolle, me Real Valadolid.”
Duhet thënë se në këto lëvizje të papritura mund të ketë luajtur rol edhe trajneri i Mynih 1860, Munoz, i cili e shprehu haptazi një ditë më parë pakënaqësinë për afrimin nga ana e klubit të Valdet Ramës. Sipas tij, ai pat kërkuar një sulmues qendre dhe jo një sulmues krahu.
Nisur nga kjo, por edhe nga ndonjë ndërhyrje e Alban Mehës te klubi i tij (mesfushori është aktualisht i dëmtuar dhe do të kthehet vetëm në mesin e shtatorit), u tha dje se Valdet Rama mund të kalonte te Paderborni. Klubi i sapongjitur në Bundesligën gjermane ka kërkuar përforcim në sulm, duke qenë se jashtë organike për shkak dëmtimesh janë dy lojtarët më të rëndësishëm të sezonit të shkuar: Alban Meha (12 gola) dhe Mahir Saglik (14 gola).
Valdet Rama, i cili ka për agjent një nga avokatët më të njohur në Itali, Federiko Frenin, gjatë këtyre ditëve ka qenë në “listën” e disa klubeve në Europë si: Kievo, Atalanta, Xhenova, Sasuolo në Itali, Deportivo La Korunja e Eibar në Spanjë dhe deri AEK-u i Athinës në Greqi.
Megjithatë, Rama është rikthyer përfundimisht në Gjermani, pikërisht aty ku është rritur si futbollist. Valdet Rama ka dalë nga akademia e Volfsburgut.
Më pas ka luajtur edhe për Ingolshtadin dhe Hanoverin, si në Bundesligën e parë dhe në të dytën. Në 2011-n kaloi tek Orebro në Suedi, para se të shkonte fillimisht në formë huazimi në Spanjë te Real Vajadolidi dhe më pas arriti të rinovonte me këtë skuadër. Mirëpo, rënia në Primera Division bëri që Rama të dilte jashtë planeve të klubit dhe më 14 korrik ta prishte kontratën më mënyrë konsensuale.