Vjedhës të mëdhenj dhe hajdutë të vegjël te dritat

29 Tetor 2014, 15:04Ekonomia TEMA

Nga Gjergj Erebara, BIRN

 

Nga viti 2001, Banka Botërore punësoi një numër kompanish ndërkombëtare për të bërë një studim për sistemin elektroenergjetik shqiptar. Studimi doli në konkluzionin që një vend si Shqipëria kishte nevojë për të instaluar 100 MW termocentrale në vit për të vënë në vijë llogaritë.

Ekspertët vunë një rresht në studimin e tyre ku thuhej pak a shumë kështu: Nëse Shqipëria do të arrijë të menaxhojë rritjen e prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike, kjo do t’i hapë rrugë zhvillimit të vendit. E kundërta merret me mend.

Kjo nuk ndodhi! Shqipëria nuk e menaxhoi rritjen e aseteve në prodhim si dhe rritjen e konsumit të energjisë që është parakusht për rritjen e ekonomisë së vendit. Dhe kjo nuk qe si pasojë e mungesës së parave.

E vetmja gjë që është rritur gjatë dekadës së fundit kanë qenë importet e energjisë si dhe vjedhjet. Ndërsa nevojiten 100 milionë euro për të ndërtuar një termocentral me kapacitet 100 MW, Shqipëria harxhon 100 milionë euro për të importuar energji elektrike në vit. Me raste, i harxhon 100 milionë euro për të importuar energji për gjashtë muaj.

Llogjika e studimit të asaj kohe qe që në Vlorë të ndërtoheshin 400 deri në 600 MW termocentrale, ndërsa në Durrës të ndërtoheshin 210 MW termocentrale të tjera. Do të duhej që duke filluar nga viti 2003, në Shqipëri të hynte në punë një bllok termocentrali me fuqi rreth 100 MW dhe rrjedhimisht, deri në vitin 2007, Shqipëria të bëhej vend suficitar për energjinë elektrike dhe të garantonte rritjen e vet ekonomike.

Duke folur për debatin mbi nevojën apo jo të termocentraleve, rreth vitit 2004, një ish drejtor i KESH, emri i të cilit nuk është dëgjuar më që nga ajo kohë sepse nuk qe person politik, më tha: “Shqipëria ka nevojë për 30 për qind të kapaciteteve energjetike në termocentrale. As Enver Hoxha (me çmendurinë e vetëmjaftueshmërisë) nuk mund të devijonte nga ky parim.”

Vetëm se qeveritë e dekadës së fundit, jo vetëm që kanë devijuar nga ky parim, por kanë shkuar edhe më tutje. Kanë eliminuar tërësisht termocentralet. Ai i Fierit u shkri për skrap, më saktë u vodh për hekur.

Termocentralet janë të nevojshme për dy gjëra: e para, heqin varësinë nga sasia e shiut që bie në alpet e Shqipërisë dhe; e dyta, rrisin eficencën e përdorimit të ujit në hidrocentrale duke sjellë rrjedhimisht rritjen e prodhimit. Historia e prodhimit të energjisë elektrike përgjatë dekadës së fundit tregon se menaxhimi i duhur i kaskadës së Drinit duke përdorur burime të tjera furnizimi në periudhat që liqenet kanë pak ujë, e rrit prodhimin fizik me deri në 40 për qind. Kjo do të thotë se kaskada mund të prodhojë me menaxhim të mirë 1 kWh për 1 metër kub ujë dhe me menaxhim të keq, 1 kWh për 1.4 metër kub ujë. Kjo do të thotë se kaskada mund të prodhojë pothuajse po aq energji sa vendi importon në një vit thjeshtë përmes menaxhimit të mirë. Në terma parash, përfitimet mund të jenë edhe më të mëdha, pasi energjia e prodhuar në orët pik të konsumit shitet më shtrenjtë.

Por që të funksionojë kjo, nevojiten termocentrale. Një të tillë Shqipëria e ka. Termocentrali i Vlorës me fuqi të instaluar prej 93 MW është përfunduar së ndërtuari në vitin 2009. Por që nga ajo kohë, nuk prodhon energji elektrike. Thuhet se ka probleme, të cilat mund të zgjidhen dhe të vihet në punë. Nuk është e qartë se për çfarë arsyeje, qeveria e shkuar dhe ajo aktuale nuk i kanë kushtuar vëmendje faktit që një termocentral që ka kushtuar 100 milionë euro, para për të cilat Shqipëria paguan interesa, nuk vihet në punë. Natyrisht, ka që mendojnë se përderisa importi i energjisë elektrike është kthyer në një biznes kaq fitimprurës politik në Shqipëri, interesi për të menaxhuar siç duhet asetet ekzistuese energjetike apo për të ndërtuar asete të reja të qenësishme nuk është shumë i lartë.

Ndërsa problemet e sistemit të energjisë janë kaq themelore, qeveria shqiptare është shumë e zënë me prodhimin e një spektakli mbi faturat e pashlyera apo lidhjet e paligjshme. Arsyeja e rigjallërimit të këtij spektakli në ditët e fundit është afrimi i ditës kur vendit i duhet të mbyllë rishikimin e marrëveshjes ekzistuese me Fondin Monetar Ndërkombëtar, një nga kushtet e të cilës është që të rrisë çmimin e dritave. Rishikimi i marrëveshjes me FMN-në duhej të kryhej në shtator, por u mbyll pa marrëveshje. Nga ky rishikim varet nëse Shqipëria do të marrë borxhet e premtuara nga Banka Botërore për sistemin elektroenergjetik shqiptar.

Rritja e çmimit të dritave është e domosdoshme për shkak se në një vit pasi mori pushtetin, lufta e qeverisë aktuale kundër vjedhjes së dritave dhe faturave të papaguara doli tërësisht e pamjaftueshme për të kthyer në rregull bilancin e OSHEE.

Bilanci i OSHEE, si çdo bilanc kompanie, ka të ardhura, ka edhe shpenzime. Qeveria është shumë e shqetësuar për të ardhurat e penalizuara nga vjedhjet dhe mospagesat, por nuk ka diskutuar deri tani shpenzimet. Psh., e ka shumë të vështirë të pranojë faktin që mbi OSHEE ka një akuzë për manipulimin e tenderëve të importit të energjisë elektrike. Pa folur për faktin që 100 milionë eurot e shpenzuara për termocentralin e Vlorës rëndojnë mbi bilancin e KESH, ndërkohë që energji nuk prodhohet. Ose pa folur për faktin e gjithëditur se OSHEE, si ndërmarrje shtetërore, përdoret shumë për punësim militantësh dhe se kur shqiptarët të fillojnë të paguajnë më shtrenjtë për energjinë elektrike vitin e ardhshëm, do të duhet të paguajnë edhe rrogat e militantëve të partisë politike të radhës në pushtet. Pikërisht për të mos diskutuar për çështje kaq konkrete, qeveria ka vendosur të na ushqejë me lajme për arrestime. Arrestimet, sido që në shumë raste janë për t’u lavdëruar, vështirë se do ta përmirësojnë bilancin e sistemit energjetik. Në fund të fundit, peshku qelbet nga koka dhe pastrimi duhet të fillojë nga koka.

5 komente në “Vjedhës të mëdhenj dhe hajdutë të vegjël te dritat”

  1. inxhinieri says:

    1.Nese 1kWh i prodhuar ne termocentral kushton me shume se 1kWh e importuar, nuk shoh asnje llogjike ekonomike. Ndertimi i termocentralit ne Vlore ishte nje histori e mirefillte deshtimi. 100 Milion USD te hedhura ne kosh per te cilat paguajme interesa !

    2.Menaxhimi i mire i kaskades se Drinit do te behet kur te ndertohet hidrocentrali i Skavices. Kushton 500 Milion Euro dhe mbaron historia e plotesimit te nevojave te vendit per nje periudhe afatmesme. Ka vendi aq Euro sa per ta ndertuar me perparesi. Le te mare hua qeveriaja me obligacione me qellim te percaktuar.

    3.Te gjitha ndermarjet shteterore jane “oaze” punesimi per militantet, prandaj dhe sistemi energjitik nuk ka pse ben perjashtim. Prandaj paguajme taksa dhe qe nuk menaxhohen mire.

    Tung

  2. Celo Mezani says:

    Z. Erebara, cdo artikull qe perzien fakte dhe logjike te shendosha me dizinformim dhe logjike manipulative eshte artikull keqberes. E kemi nje mjeshter Andi Bushatin per kete pune, nuk na duhen me te tjere.

    E ke permendur 3 here TEC-in e Vlores, dhe asnjehere nuk thua te verteten.
    Perzien kinse Qeverine e shkuar me Qeverine e re per keqmanaxhimin e TEC-it te Vlores.

    E verteta eshte qe TEC-i i Vlores eshte nje krim i bere ne radhe te pare nga finacuesi i saj Banka Boterore, por edhe nga Qeverite e shkuara. Qeveria Shqiptare nuk ka bythe per tu zene me BB, ndersa drejtesia eshte akoma vegel e atyre qe e bene maskaraden ne Vlore.

    Ai TEC e prodhon energjine me kosto me te larte se importi, dhe do ishte kriminale dhe ndotje mjedisi e pajustifikuar po qe se do vihej ne pune keshtu sic eshte, kurse ju Z. Erebaba e ngaterroni me “deshiren per korrupsion nga importi”.

    Pa kaluar nje tubacion gazi (si psh TAP) ne Shqiperi TECi Vlores nuk do te punoje dot kurre. A ja vlen te investosh ta kthesh nga nafta ne gaz, ky eshte i vetmi diskutim qe ka vlere te behet.

    E pergezoj Z. Erebaba per denoncimin e manipulimeve te mundshme ne tenderat e OSHEE, ne artikuj te tjera, por sot ja ka fut kot.

    CDO HAJDUT DUHET DENUAR !!! Hajdutet e vegjel, demtojne po aq sa te medhenjte dhe madje shpesh i ushqenj te medhenjte.

  3. arian says:

    shume dakort me te dy parafolsit.dhe ju te BIRN-it duhet te studioni pak para se te shkruani artikujt tuaj qe mesa duket ka filluar tu vi pak ere e piset.

  4. lili says:

    Po sikur te prodhojme energji me thermocentralet,nuk do importojme me ‘pra nuk do i falim fazlicit paret ,te cilat ky i ndan me politikanet tone te korruptuar,apo jo Zotni méta?

  5. Liridon says:

    Shqiperia ka diell te mjaftueshem per ta shfrytezur per energji elektrike.Dihet ka nje presion nga firmat kryesisht te lidhura me Serbine ne shit – blerjen e energjise.Gjermanet i thane grekerve :Ju keni diell,shiteni energjine e tij,e s’keni pse te jeni ne krize.Kam degjuar se ne fillim te vitit do te perfundojne ligjet e duhura per fillimin e prodhimit te kesaj energjie edhe tek Ne.Te shohim. Specialistet e kesaj fushe(te huajt) thone:Investimi shlyhet per 10 vjet duke e paguar cmimin e energjise sa gjysma e kesaj qe e paguajme tani.Pra qe do te thote nqs sot nje familje paguan 60 000 leke ne vit per energjine,ne te ardhmen do te paguaje 30 000 ne vit per 10 vite,e mbas 10 viteve do te kete gratis energjine,minimumi per 15 vite te tjera,pasi 25 vjet eshte garancia qe japin aktualisht prodhuesit e paneleve diellore dhe paisjeve perkatese.Problemi aktual eshte se klasa jone politike nuk ja hap rrugen kesaj perespektive te prodhimit te energjise per arsyet qe z.Erebare permend ne artikullin e mesiperm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje