Merkatoja e Interit, tani objektivi është Yaya Toure

24 Janar 2015, 17:55Sport TEMA

Roberto Mancini synon të rikthejë Interin e madh. Në projektin e ri zikaltër që ka ndërmend që nga rikthimi i tij, trajneri ka përfshirë Shaqirin dhe Podolskin, po shton në repartin e ndërmjetëm xholin kroat Brozovic, një mbrojtës qendre, Murillon dhe ndërkohë punon për të nesërmen me një emër që spikat mbi gjithë të tjerët. Është ai i kolosit Yaya Toure.

Dhe në gjithë këtë tablo, në sfond qëndron edhe çështja Ezequeil Lavezzi. El Pocho ka prishur përfundimisht raportin me Blanc te Psg, dhe rikthimi i tij në Itali është më i mundshëm se kurrë. Cështja qëndron nëse do të realizohet në qershor apo menjëherë në merkaton e dimrit. Në garë është futur edhe Juventusi, Interi kërkon ta rrëmbejë menjëherë por nëse gjërat në Paris qëndrojnë kështu siç janë deri në qershor, në merkaton e verës mund të realizohet një shkëmbim për të cilin është folur tashmë mes Interit dhe Psg. Një rrokadë mes Lavezzit 29 vjeçar dhe Guarin që është 28 vjeç. Në qershor është rezervuar dhe pjata e fortë, Yaya Toure, ish futbollisti i Mancinit te Manchester City. Udhëtimi i drejtorit sportiv Ausilio në Londër ka shërbyer për të hedhur bazat për këtë transferim. Toure ka dëshirë për të ndryshuar ambient për disa motive, kontrata i skadon në 2017 dhe Mancini është si një magnet për të. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë ka rënë dakord parimisht, aktualisht ka një pagë të lartë te Citizens ku merr 7 milionë euro në sezon, por në moshën 31 vjeçare do të ishte i gatshëm që të niste aventurën te Interi me një kontratë që i jep 3 milionë Euro në vit plus bonuset, dhe me Mancinin si trajner transferimi është mëse i mundshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje