Fabiana Bytyçi e vogël gjithmonë kishte shikuar me babanë e saj sporte luftarake.
Kishte ndjekur edhe filmin e njohur “Rocky” dhe nga këtu edhe i kishte lindur dëshira që një ditë të futej në ring edhe vetë, të përjetonte atë ndjenjë.
“Kur shikoja ‘Rockyn’ dhe po ashtu ndeshjet e boksit e kikboksit në televizor, gjithmonë në mendje thosha se çfarë ndjenje është kur futesh në ring. Doja ta provoja atë ndjenjë”, tregon 19-vjeçarja për “Koha Ditore”.
Bytyçi e përjetoi atë ndjenjë të të qenit në një ngjarje të madhe të boksit më 7 mars të këtij viti, kur në Magdeburg të Gjermanisë në mbrëmjen e SES Boxingut debutoi në boksin profesionist.
Ajo fitoi me nokaut teknik në raundin e katërt në përballje me hungarezen Andrea Lakatos.
“Në fillim isha nervoze, por si hyra në ring më humbi nervoziteti, u qetësova. Brenda ringut të duhet të kesh kokën e kthjellur dhe këtë e bëra. Jam e lumtur që fitova, dhe fitova me ndërprerje”, thotë Bytyçi, që është e lindur në Çeki, ndërsa babanë e ka nga Prizreni.
“Nuk e prisja që të përfundoja meçin para kohës, por ia dola”.
Paraqitja e bukuroshes që bokson në kategorinë mizë ishte impresionuese dhe asaj iu ofrua kontrata nga kompania e madhe promovuese gjermane “SES Boxing”, pjesë e së cilës është boksieri i njohur kosovar Haxhi (Robin) Krasniqi…