Një gjë e rëndë ka ndodhur dje në darkë. Ndërsa Luli ishte gati duke fjetur, Doktori e ka marrë në telefon.
-Luli, je nxitu me këtë vendimin për të mbështet arrestimin e Tomës, i tha. Duhet me e mbrojt.
-Po si ta mbrojmë Doktor? Ne kemi dorëzuar në ambasada emrat e tyre për tek lista e dekriminalizimit
-Duhet me e mbrojt, tha. Ai ka të drejtë. Nuk gënjen. Kanë dash me e vra.
-Po ne kemi thënë që do ta mbështesim prokurorinë, tha Luli. Unë kam folur dhe me ambasadorët.
-Ke ba gabim. Nesër do ta mbështesim.
-Po s’kam si t’ia bëj Doktor, se s’di si t’u them deputetëve tani. Unë s’kam ndonjë fakt të ri.
-Jo, duhet me e mbështet, tha. Kam fol dhe me Jozefinën dhe ajo është dakord që duhet me e mbështet. Tani ti më shumë se Jozefina s’ke bë luftë me Tomën. Asaj i ka sulmu dhe burrin, dhe vet.
-Po s’kam si u them deputetëve Doktor, tha Luli.
-Ua thotë Paloka, tha Doktori. S’ke punë ti. Kemi kryetar Grupi Parlamentar ne.
-Po kam frikë se mos thonë deputetët, çfarë mendon kryetari, tha Luli.
-Jo jo, nuk është e vërtetë. Nuk e vë njeri në dyshim autoritetin e Palokës aty. Flet ai dhe fjala e tij është ligj.
-Mirë atëherë, i tha Luli. Unë s’po vij fare. U thoni që jam me raport mjekësor.
-Dakord, mirë…Natën e mirë.
Pas kësaj Luli mori urgjent Kunatin.
-Bëji një telefon Tomës tha, dhe i thuaj që ne do të të mbështesim nesër duke ikur nga Kuvendi, por po deshe thuaj pak atij mjekut që të dha raportin, të ma japë dhe mua një raport, me të njëjtën diagnozë.
Pas pak Kunati u lidh me mjekun.
-Ma bëj diagnozën si të duash, por të justifikosh regjim shtrati vetëm para dite, deri në orën 4, i tha Kunati.
-Epo ta vë helmim nga ushqimi, tha mjeku, se ajo mund të kalojë kaq shpejt.
-Vëre, të prera barku dhe fryrje, i tha Kunati.
-Jo, është për gra shtatzënë ajo, tha mjeku. Duhet diçka për burra.
-Po mirë vëre të vjella dhe dhimbje koke. Ka gëlltitur një lugë gjellë të prishur në ambasadën amerikane.
-Jo, s’ma mban, tha mjeku, se jemi spital privat dhe i kemi klientë ata të ambasadës.
-Epo vërë ç’të duash, vetëm vëre që simptomat mund të zgjasin deri në orën 15:00.
-Po pse, ç’ka pas asaj ore, tha mjeku?
-Deri atëherë Toma mund të jetë arrestuar dhe Luli duhet të jetë në Kavajë në një aktivitet, i tha Kunati.
-Ok atëherë, tha doktori, po e shënoj “krizë paniku”. Po e shënoj tek simptomat “mosmbushje me frymë”, “rrahje të shpejta zemre”, “rënie tensioni” ose “ngritje të nivelit të zhurmave në vesh, që e trembin”…Të duket sikur dëgjon zëra të huaj, që seç të thonë.
-Shumë mire, tha Kunati, dhe shkoi mori raportin. Luli duke e lexuar diagnozën i thotë Kunatit:
-Ua, po ky s’qenka raport fals. Unë i kam vërtetë këto shenja.
-Pa pyete, tha Luli, kush mjek duhet të të vizitojë në këto raste?
-Ose kardiologu, ose psikologu, i tha doktori.
-Punë dreqi, i tha Luli. Tek kardiologu nuk shkoj dot se i ngelet qejfi Doktorit, pse nuk shkoj tek ai. As tek ndonjë psikolog nuk shkoj dot, se këta tanët flasin e të nxjerrin bojën.
-Njoh unë një psikologe burgu, tha Kunai. Është gocë simpatike. Ajo nuk para flet.
-Le se na duhet për ndonjë hall tamam ajo, i tha Luli, kur ta kemi për vete. Kjo kalon shpejt.