"Mbahemi nga emigracioni, trafiqet, dhe barbaria ndaj burimeve natyrore"

23 Prill 2015, 09:41Ekonomia TEMA

Përpjekja për të gjetur përgjigje nga  profesori i njohur i ekonomisë s’është e lehtë. Prof. Omer Stringa do të bëj search të gjatë dhe do të jetë sa më i thukët në përgjigjet e tij. Duke ditur gadishmërinë por edhe thellësinë e arsyetimit, jemi munduar ta pyesim në shumë e shumë çështje, që ai i rikthen për herë të dytë për publikun e “JAVA”. Ka diçka më shumë optimizëm, edhe pse mes një intervistë të muajve më parë në revistën tonë dhe kësaj të fundit nuk ka shumë ndryshime sa i përket ekonomisë shqiptare. Kjo e bën disi të trishtë sensin e kësaj interviste. Profesor Stringa duket si i tërhequr prej kohësh dhe nuk duket shumë aktiv si vite më parë…Ka vlerësime disi pozitive për Ramën, por jo për kabinetin e tij! E shikon kritik pozicionin e Shqipërisë sa i përket zhvillimit dhe sidomos është dyshues për performancën e kabinetit qeveritar që për të thjesht i bën qejfin Ramës…

Nga Ben Andoni

I nderuari profesor, keni thënë pak kohë më parë se edhe mospasja e një modeli është model në ekonomi. Çfarë modeli ekonomik ka zgjedhur për të ndjekur Shqipëria? Me çfarë po jeton Shqipëria?

“Për të gjetur një përgjigje për pyetjen e parë le t’i kthehemi përkufizimit të fjalës model. Modeli është një përshkrim sistematik i një dukurie, me të cilën ka të njëjtat karakterisika themelore. Nëse flasim për ekonominë shqiptare është e vështirë të gjesh një model, që mund ta përshkruaj. Ne themi që kemi përqafuar ekonominë e tregut ndërkohë që prona privatë, e cila është themeli i ekonomisë së tregut, akoma nuk mund të trashëgohet, blihet, shitet apo dhurohet lirisht në këtë vend. Ne tentojmë pa rezultat, të ndërtojmë një shtet social si shumë vende të Perëndimit, por harrojmë se asnjëri prej tyre nuk u bë shtet social pa u bërë më parë shtet i së drejtës dhe ligjit. E kështu mund të vazhdoj me rradhë për raste të ngjashme. Në pamundësi për t’ju dhënë një përgjigje të ndryshme në thelb, në lidhje me pyetjen, po e rifrazoj përgjigjen për lexuesin tuaj: Shqipëria ka një model zhvillimi ekonomik po aq sa Tirana ka një model zhvillimi urban.

Në lidhje me pyetjen e dytë besoj është e qartë gjithnjë e më shumë që ne jemi mbajtur me të ardhurat nga emigracioni, trafiqet, dhe shfrytëzimi i paqëndrueshëm i burimeve natyrore, pa mohuar edhe punën e ndershme të sipërmarrjes private vendase, e cila akoma zë një peshë relativisht të vogël”.

Si i shikoni reformat e ndërmarra nga qeveria Rama? A duket se kostoja e tyre po e varfëron në skaj publikun shqiptar? Mendoni se mund të ishin më të arsyeshme?

“Deri me tani, mund të them se gjeja për t’u përgëzuar dhe e cila do t’i shërbej për një kohë të gjatë vendit, është fakti se me veprimet, por sidomos mosveprimet e saj, qeveria Rama po ndryshon tek shqiptarët një bindje të gabuar, por të ngulitur thellë, mbi rolin e shtetit në jetën e tyre. Përgjatë komunizmit por edhe gjatë viteve që e ndoqën, Shqiptarët janë gënjyer dhe kanë pranuar të gënjehen nga politika duke krijuar pritshmëri të paarsyeshme mbi përgjegjësinë e shtetit ndaj tyre dhe detyrimet e qytetarëve ndaj tij. Qeveria Rama po i bën shqiptarët të mos presin nga shteti për çdo gjë dhe ky është një hap i shumë i rëndësishëm përpara.

Në lidhje me reformat mund të them se në pjesën më të madhe janë më shumë iniciativa se reforma. Për fat të keq, reforma është një term që vazhdon të abuzohet në Shqipëri. Jo vetëm në një shtet por edhe në struktura shumë më të vogla se shteti, ndërmarrja e një reforme është një proces intensiv, i cili që të rezultoj i suksesshëm kërkon jo vetëm dëshirë dhe force për të shembur ç’ka ishte keq, por mbi të gjitha këmbëngulje të vazhdueshme për të vënë rrënjët e të resë dhe ndryshuar kulturën e të bërit të gjërave. Çdo menaxher apo qeveritar i mirë e di që reformave i rrihet të koka me fanatizëm në fazën e zbatimit, sepse aty ka rrezik më të madh të dështojnë. Kam përshtypjen se kabineti i qeverisë, nga dëshira për të kënaqur dhe nga frika për të mos e mërzitur Kryeministrin, po nënperformon në krahasim me pritshmëritë, duke e bërë këtë qeveri të duket shpesh e shfokusuar, e shpërhapur, e nxituar dhe që nuk i çon deri në fund iniciativat e ndërmarra. Dhe kjo sjellje bëhet e lodhshme jo vetëm për strukturat e shtetit por edhe qytetarët pas një farë kohe. Për këtë arsye, mendoj se, ashtu siç e tregojnë edhe praktikat më të mira, gjatë një katër vjeçari një qeveri mund dhe duhet të fokusohet në vetëm një ose dy reforma të rendësishme duke mos humbur fokus dhe ruajtur inercinë e nevojshme”.

A mendoni se është tejet problematik niveli aktual i borxhit në Shqipëri dhe sa do t’i rëndojë ai të ardhmes së shqiptarëve? A duket e tepruar që një ekonomi pa frymëmarrje të mirë si ekonomia jonë të vazhdojë të marrë borxhe në këtë nivel?

“Borxhi publik në këto nivele është shqetësues për vende të pakonsoliduara por nuk duhet parë si çështje e veçuar. Po ta shohim me vëmendje sjelljen e aktorëve financiar rezulton që ata e kanë mbështetur gjithnjë e më shumë kërkesën e qeverisë për financim gjatë vitëve të fundit, ç’ka është reflektuar edhe në uljen e normave të interesit. Pra, ndërmjet financimit të qeverisë dhe financimit të sipërmarrjes private, fondet kanë shkuar drejt qeverisë. Ecuria e kërkesës për financim nga sektori privat ka qënë e dobët ndërsa bankat vazhdojnë të shfaqin hezitim në kreditimin e ekonomisë. Kjo do të thotë që përtej nivelit të borxhit publik duhet të tregohemi të vëmendshëm edhe në ecurinë e rritjes së ekonomisë reale dhe faktorët që ndikojnë në të. Ndërsa ulja e financimit të qeverisë në tregun e brendshëm do të krijojë mundësi për më shumë frymëmarrje për ekonominë, kapja e kësaj mundësie kërkon që të fokusohemi në krijimin e një klime dhe ambienti që mbështët sektorin privat dhe adreson sfidat strukturale më të cilat ai përballet çdo ditë.

Ndërsa nëse fokusohemi vetëm në nivelin e borxhit publik, ai ka kaluar tashmë mbi 70% e PBB dhe vlerësohet në 72% në fund të vitit 2014. Ky nivel ndikohet çdo vit nga rritja ekonomike dhe deficiti buxhetor. Sipas parashikimeve fillestare të FMN në fund të vitit 2013, brenda vitit 2016 borxhi publik to të ulej nën 70% dhe në fund të vitit 2019 do të kishim një buxhet të balancuar. Gjatë kësaj periudhe parashikimet e rritjes ekonomike janë rishikuar në ulje për vitin 2014 dhe 2015. Për vitin 2014 rritja ekonomike vlerësohet në 1.8% nga Banka e Shqipërise në krahasim me 2.1% që ishte parashikimi fillestar i FMN-së. Për vitin 2015, Banka e Shqipërisë parashikon një rritje prej 2.4% në krahasim me 3.3% që ka qënë parashikimi fillestar i FMN-së. Një rritje ekonomike nën parashikimet fillestare e ka bërë gjithnjë e më sfidues objektivin për uljen e borxhit publik nën 70% të PBB brenda vitit 2016”.

Shqipëria ka bërë shumë privatizime dhe ka dhënë pafund licensa për menaxhimin e burimeve të saja natyrore, por vitet e fundit duket se ka dështuar paq. Pse nuk mundemi të thithim kapital investues cilësor në vendin tone?

“E kam shprehur dhe më parë që rritja ekonomike e vendit tonë gjatë këtyre viteve është bazuar ndjeshëm në shfrytëzimin e paqëndrueshëm të burimeve natyrore. Dhe këtu nuk fus vetëm burimet hidrokarbure apo minerare por sidomos tokën dhe ujrat. Ky është kompromisi që ne me vetëdije ose jo kemi bërë. Ndërsa dje korrnim frytet e plotësimit të nevojave bazë si strehim, veshje dhe ushqim, sot gjithnjë e më shumë po shfaqen kostot e këtij zhvillimi të paqëndrueshëm të cilat reflektohen jo vetëm si kosto financiare por edhe përkeqësim në cilësinë e jetës (ndotje, fëmijë që punojnë, mungesë trotuaresh, trafik, përmbytje, mbipopullim, mungesë hapësirash të gjelbra dhe sportive, zhurmë, infrastrukturë, përfshi ato të bëra së fundi, jashtë çdo standardi, akses i keq në kopshte, shkolla dhe spitale etj.).

Shqipëria duhet të bëjë sa më parë tranzicionin nga një ekonomi e nxitur nga shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe betonizimi në një ekonomi të bazuar në krijimtarinë dhe punën konkuruese të qytetarëve. Edhe ata të cilët e kanë vendosur pasurinë e tyre duke u mbështetur në sa thënë më lart, e kanë të nevojshme gjetjen e hapësirave të reja investuese në vend dhe kjo do të bëhet e mundur vetëm nëse investojmë intensivisht tek njerëzit tanë. Thënë kjo, që ne të mund të thithim kapital investues cilësor por edhe të mbajmë kapitalin egzistues për të mos u larguar nga vendi është e rëndësishme të fokusohemi në dy aspekte parësore: Së pari të garantojmë zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës, një ambient rregullator të qëndrueshëm, efikasitet në zbatimin e ligjit dhe marrëdhënieve kontraktuale dhe ulje të arbitraritetit dhe korrupsionit. Dhe së dyti të investojmë në zhvillimin e burimeve njerëzore konkurruese”.

Mendoni se megjithë bashkëpunimin e mirë me FMN-në mund të ishim më të kujdesur në pranimin e propozimeve të e tyre?

“Në kuadër të asistencës së kërkuar nga qeveria, FMN-ja dhe Banka Botërore kanë dhënë një sërë rekomandimesh për ndërmarrjen e reformavee në fusha si energjitika, infrastruktura, borxhi publik, sektori financiar etj. Në pjesën më të madhe të rasteve, çështjet e identifikuara nga ata dhe që kërkojnë vëmendje nuk kanë qënë të panjohura nga aktorët vendas. Por propozimi nga FMN dhe Banka Botërre i masave për adresimin e sfidave shihet si bazë e rendësishme për legjitimimin e masave dhe uljen e kostove politike për vendimmarrësit.

Vlerësoj se se bashku me partnerët, Qeveria ka identifikuar drejt çështjet/sektorët e ekonomisë që janë problematik dhe që kërkojnë vëmendje. Pra diagnoza është e saktë. Në lidhje me masat e propozuara dhe ndërmarra për adresimin e tyre, vlerësoj se janë përzgjedhur masat më të thjeshta dhe të shpejta për të arritur objektivin. Rritja e taksave apo çmimit të energjisë për të përmbushur objektivin e balancimit të buxhetit, ndërsa ka hapësira shumë të mëdha për sigurimin e të ardhurave të nevojshme vetëm duke luftuar evazionin, tregon që partnerët tanë mbetën skeptik për aftësinë tonë për t’i dhënë zgjidhje çështjeve duke ndërmarrë masa që janë më të drejta por që kërkojnë shumë punë dhe disiplinë. Pra ata në përshkrimin e mjekimit kanë marrë parasysh jo vetëm diagnozën por edhe takatin e pacientit”.

INSTAT mëton se disa nga sektorët kryesorë ekonomikë në vend po lëvizin pozitivisht, por të ardhurat tatimore se kanë atë trendin e fillimit. A ka ardhur koha të alarmohet qëveria ekzistuese?

“Po të shohim me vëmendje treguesit ekonomik dhe të tregut të punës në vendin tonë do të vërejmë që për disa vite tashmë rritja ekonomike ka qënë nën ose rreth 2% dhe papunësia vazhdon të mbetet në nivele të larta. Disbalancat social-ekonomike janë bërë gjithnjë e më të mprehta dhe dobësitë strukturale gjithnjë e më të dukshme. Si rrjedhojë ritmet e larta të rritjes ekonomike të viteve të mëparshme janë vështirë të përsëritën në planin afatmesëm. Mësimi më i mirë që mund të nxjerrim nga sfidat me të cilat përballen sot partnerët tanë ekonomikë si Italia dhe Greqia është fakti që adresimi në kohë i disbalancave social-ekonomike dhe dobësive strukturale është çelësi për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Në lidhje me INSTAT do doja thjesht t’i rikujtoja qeverisë të vazhdonte të ishte e fokusuar në mbajtjen e premtimit të dhënë për një insitucion të pavarur”.

Pse vendit tonë i mungon një strategji e mirëfilli zhvillimi, që të jetë një lloj kushtetute e të gjithë partive në vend, kur vinë në fuqi?

“Sepse mbase jemi herët për të folur si për hartimin ashtu ashtu edhe për zbatimin e një strategjie të mirëfilltë zhvillimi. Strategjia kërkon vlera themelore të pranuara gjerësisht, vizion, planifikim, tregues përformance të dakortësuar, marrje përgjegjësie, shumë punë dhe disiplinë në një hark kohor afatgjatë. Këto karakteristika janë gati të njëjta me ato që dallojnë një komunitet të shëndetshëm nga një grumbullim rastësor njerëzish në një hapësirë fizike arbitrare. Mendoj se ne na duhet akoma të fokusojmë energjitë tona në drejtim të zotërimit dhe ushtrimit me eficencë të karakteristikave të nevojshme për ndërtimin e komuniteteve të shëndetshme në rradhë të parë dhe më pas të strategjive të mirëfillta të zhvillimit ekonomik”.

6 komente në ““Mbahemi nga emigracioni, trafiqet, dhe barbaria ndaj burimeve natyrore””

  1. Taqua says:

    E lexova interesante,mbyllja me nje klishe ,,europa e veriut punon dhe fiton se jane vende te ftohte,Europa jugut shqiperi greki,etj nuk lulezonka she njerzit rrine nen hije nga dielli I madh. Mahhhhhhh

  2. loni says:

    e sakte,mbahemi nga emigracioni trafiqeve dhe grabitja e pasurive natyrore,kjo pra ishte demokracia alla americane qe armiqte e huajt qe quheshin dikur(burgaxhinjte te presekutuarit me gjasme)sot te behen heronj duke bere ate qe ekonomia jone te jete ne dore te ketyre plerave qe quhen te presekutuarit ose keta qe luftuan per demokraci gjate sundimit komunist (qe nuk ka asnje dokument qe keta kan luftuar ate sistem),por me mbrotjen e amerikaneve keta burgaxhinje u bene heronj,per nje arsye qe amerikanet te vjedhin cdo gje me vlere qe ekziston ne shqiperi dhe te quhet e ligjshme nga keta heronj qe amerika na i serviri ne tavolinen shteterore,kjo eshte ai sistem alla amerikan,qe i shtrengon duart me kastron e kubes dhe shinjestron assadin e sirise,qe assadi nuk ka vrare amerikane kurse kastroja me Che Guevara kan vrare amerikane derisa i zhduken nga ishulli kubanes dhe me rradhe,kurse keta amerikanet u ben miq me kastron kriminelin e tyre,kjo eshte ajo bota qe ti i dashur analist mundohesh ta zbukurosh,kjo eshte demokracia alla amerikan grabit trafiko dhe vrit,sic po ja shijojme shijen kety 25 vjet demokraci.

  3. kastriot says:

    Heret qenkeni kujtuar professor per te dhene alarmin per nje gjendje qevazhdon per me shume se 30 vjetesh.Kjo gjendje ishte dhe kur deklarohesh qe ishim me te miret te dytet pas gjermanise nga idhulli politik dhe partneri juaj financiar

  4. elinor,.,..,, says:

    Sikur te degjoheshin me shume njerez si ky profesori do ishim disa here me mire se jemi. Por ne degjojme tipa medioker si Veliaj qe con nje femije ne spital me makinen e punes dhe i duket se e realizoi reformen sociale!

  5. studenti says:

    Kastriot duket qe se ke ndjekur profesorin ne shkrimet e tij ,ai ka qene kritik gjithnje por kritikat e tij kane rene gjithnje ne vesh te shurdher.Per me teper kliko ne google ne emrin e tij dhe te dalin te gjitha shkrimet e tij.

  6. arben says:

    Ne keto 25 vjet shqiptaret te udhehequr nga nje I cmendur qe ua beri detin kos dhe mbanin syte nga qielli e prisnin te vinin amerikanet e tu hidhnin cekun e bardhe per tu bere te gjithe pasanike duke u ngrohur ne diell e duke mallkuar dite e nate sistemin e Enverit qe I raskapiti ne pune packa se ishte kjo pune qe u ngopi barkun zorrethareve te sistemit Zoglian,se ishte kjo pune heroike qe krijoj nga hici nje industri dhe bujqesi te zhvilluar qe I perkiste realisht te gjithe popullit e jo disa qindra latifondisteve e borgjezeve te majmur sic eshte realiteti I sotem,ishte puna e gjithe popullit qe krijoj te gjitha premisat per tu shkolluar e arsimuar cdo njeri me te drejta te barabarta dhe jo sipas pasurise,po ashtu ishte kjo pune qe I krijoj mundesine Shqiperise te ishte nje shtet me dinjitet e I pa varur e pa borxhe kur sot te gjithe e dime se dinjitetin e kemi te neperkembur e lakun na e kane hedhur ne fyt,ishte sistemi socialist qe mbi gjithshka I dha prioritet forcimit te shtetit te dobet shqiptar,katerfishoj popullsine dhe shkateroj cdo perpjekje te fqinjeve tane per te na shuar nga harta e botes.Kur shqiptaret te freskojne kujtesen dhe te kuptojne se nga kane ardhur e ku po shkojne,kur te kuptojne se ne keto vite jane mashtruar nga pseudo politikanet tradhetare dhe Shqiperija e shkateruar,e pergjysmuar dhe e tradhetuar po tret ate cike dhjami te vene ne sistemin e kaluar apo po rron me gjakun e derdhur lume nga bijte e saj te mbetur pa atdhe rrugeve te botes kane per te mare fatet ne duart e tyre dhe kane per ta ribere vendin ashtu sic e enderonin te paret e tyre.Gjer atehere zoti e ndihmofte Shqiperine dhe e mbrojte nga te ligjte brenda e jashte vendit qe per fat te keq jane te shumte.Por ne radhe te pare e brings nga vete shqiptaret pasi armiku me I madh I tyre jane vete shqiptaret.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje