Doshi paraqitet në Prokurori/Avokatët: Do vazhdojmë betejën ligjore për zbardhjen e atentatit

4 Maj 2015, 13:27Kronika TEMA

Në orën 10:00 të mëngjesit, ashtu siç e parashikon vendimi i Gjykatës së Lartë, deputeti Tom Doshi u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, duke respektuar vendimin e gjykatës.

I shoqëruar nga dy avokatët e tij, Doshi ka qëndruar përreth dy orë në organin e akuzës, porse nuk është marrë në pyetje.

Avokati Vladimir Meçi u shpreh për mediat se ishte vetëm një konfirmimi i vendimit të Gjykatës, por shtoi se nuk do të ndalet beteja ligjore për të zbardhur historinë e atentatit që pretendohet nga Doshi se ishte planifikuar ndaj tij me urdhër të kryeparlamentarit Meta.

Ishte thjesht konfirmimi i vendimit të gjykatës, ndërkohë jemi duke vazhduar betejën tonë ligjore deri në zbardhjen e çështjes.

Do paraqesim disa kërkesa për të kryer disa veprime hetimore të rëndësishme dhe për të marrë disa prova që kanë shumë rëndësi për çështjen.

Nëse prokuroria nuk do i pranojë kërkesat do t’i drejtohemi gjykatës për të vendosur mbi këto kërkesa”, u shpreh avokati i deputeit Tom Doshi pasi ka përfunduar këtë procedurë të sotme në Prokurorinë e Përgjithshme.

Rreth një javë më parë Gjykata e Lartë vendosi të lirojë deputetin Tom Doshin dhe të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje.

Prokuroria e Përgjithshme u tërhoq nga dy prej tre akuzave që çuan në arrestimin e deputetit Tom Doshi në 26 mars të këtij viti dhe i qëndroi vetëm asaj të “kallëzimit të rremë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje