Vladimir Gjutës, emrit më të kërkuar nga drejtësia deri ditën e enjte pasdite, i arrestuar nga forcat speciale në tunelin e Kalimashit, iu gjet edhe një armë pistoletë në mjetin me të cilin udhëtonte.
Policisë iu desh një kontroll tejet i imtësishëm i makinës me targa kosove, për të zbuluar armën me silenciator.
Burime të TemA-s konfirmojnë se arma ishte fshehur pranë baterisë së makinës, e mbështjellë me një copë.
Për Gjutën dhe dy të rinjtë e ndaluar me të, Blerim Thaçin nga Prizreni dhe Indrit Ademin nga Kukësi është ngritur edhe një akuzë e re, ajo e armëmbajtjes pa leje.
TemA mësoi se Gjuta është marrë në pyetje gjatë gjithë orëve të natës nga hetuesit e krimeve të rënda në Policinë e Tiranës, për të hedhur më shumë dritë mbi atentatin me eksploziv në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm, por edhe kërcënimin me sms, drejtuar përmes telefonit, Saimir Tahirit.
Gjuta mbahej prej kohësh nën vëzhgim dhe ishin organizuar edhe operacione të tjera për kapjen e tij, në banesën që ka në Tiranë.
Por arratia e të kërkuarit nga Kukësi, megjithë modifikimet që i kishte bërë pamjes së jashtme, duke mbajtur paruke nuk ka qenë e gjatë dhe tashmë do të përballet me akuzat e rënda.
I vetmi që mbetet ende në kërkim për të njëjtat vepra penale, është i dyshuari tjetër si anëtar i grupit Baftjar Bruka.