Ditë të nxehta në merkaton italiane me shumë kryqëzime të panjohura për skuadrat që kanë shkelur gazin në maksimum për të forcuar organikat e tyre për sezonin e ri. Një nga emrat më të lakuar është egjiptiani i Fiorentinës, Mouhamed Salah, i cili ka në dorë dy karta, Interin dhe Fiorentinën ku u aktivizua gjatë muajve të fundit. I huazuar nga Chelsea te skuadra toskane, sulmuesi mbetet në dilemë për të ardhmen e tij pasi në lojë ka hyrë edhe Interi që e tundon jo pak. Në radhë të parë, Salah duhet t’i japë një përgjigje të qartë Fiorentinës pa shkelur kufirin e 30 Qershorit. Në rast se pranon 3 milionë në sezon nga skuadra vjollcë, Fiorentina duhet të punojë edhe me Chelsean për blerjen e kartonit të lojtarit që u përfshi në transferimin e Cuadrados. Në të kundërt, gara për bomberin afrikan do të jetë e hapur pasi në Itali ka jo pak skuadra që kërkojnë ta afrojnë në gjirin e tyre.
Por ndërkohë që në aksin Firenze-Torino po punohet për të caktuar destinacionin e Salah, Juventusi ka hapur një kantier ndërtimi në mbrojtje. Bonucci është vënë në shënjestrën e Real Madrid që ofron 30 milionë Euro dhe Marotta ka menduar për zëvendësuesin e tij. Ai është marokeni i Bayernit të Mynihut, Mehdi Benattia. Po në kampin bardhezi është braziliani Gerson që mund të bashkohet me skuadrën e Allegrit që i ofron Fluminenses 12 milionë Euro. Në Milanon kuqezi, Galliani vazhdon të presë një përgjigje për kolumbianin Bacca, ndërsa shpresat për Jackson Martinez po veniten pasi sulmuesi pranon se do të nënshkruajë për Atletico Madrid. Në Romë i bëjnë llogaritë ndryshe, larg emrave të njohur me verdhekuqtë që synojnë Muriel, ndërsa Lazio shënjestron tregun holandez me dyshen Clasie-Willems.
po interin nuk e permend ti gazetar