Arsenali është gati të realizojë goditjen e madhe në merkato.
Trajneri i topcinjëve të Londrës, Arsen Venger, dëshiron me cdo kusht të ketë në skuadrën e tij sulmuesin francez Karim Benzema dhe po përgatit një ofertë prej 40 milionë sterlinash, rreth 57 milion euro, për të bindur Realin e Madridit të lërë të lirë bomberin 27-vjecar.
Tre rivalët e Arsenalit në luftën për titull, Çelsi, Mancester Junaited dhe Mancester Siti e kanë bërë tashmë nga një goditje të madhe në këtë merkato, duke afruar respektivisht lojtarë të tillë si Radamel Falkao, Bastian Shvainshtaiger dhe Rahem Sterling, dhe për fakt, Arsenali nuk dëshiron të mbetet pas.
Prandaj, drejtuesit e topcinjëve do të bëjnë gjithcka për të transferuar në Emirates, Karim Benzemanë.
Te Reali i Madridit për momentin nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga francezi, por një ofertë prej 57 milion Eurosh mund të tundonte edhe drejtuesit e klubit mbretëror, të cilët me paratë e përfituara nga shitja e ish lojtarit të Lionit do të nisnin ofensivën për të marrë shërbimet e argjentinasit të Mancester Sitit, Serxhio Aguero.
Nëse arrihet marrëveshja dhe Benzema transferohet te Arsenali, ai do të bëhej futbollisti i dytë që largohet nga Los Blancos te topcinjte, pas gjermanit Mesut Ozil, për një shumë të konsiderueshme./SS