Milani nuk heq dorë nga Zlatan Ibrahimovic, është pikërisht bomberi suedez objektivi i madh i kuqezinjëve në këtë merkato vere. Drejtuesit e 7-herë kampionëve të Europës dëshirojnë me cdo kusht të rikthejnë në skuadrën e tyre Ibrën dhe janë gati të bëjnë sakfrifica të mëdha ekonomike për të bindur 33-vjecarin të pranojë ofertën e tyre. Në ditët e ardhshme është në program një takim mes shtatlartit suedez dhe krerëve më të lartë të Paris Saint Germain-it, gjithcka do të ndodhë në Montreal të Kanadasë, në ditën e Superkupës së Francës që do të zhvillohet pikërisht në këtë vend. Ibrahimovic duke marrë parasysh faktin që kontrata e tij skadon pas 1 viti dhe kampionët e Francës nuk i kanë ofruar rinovimin do tu kërkojë drejtuesve të nxirret në merkato, për të kaluar më pas te Milani.
Por sa do ti kushtojë transferimi i Zlatanit klubit kuqezi? Plot 50 milionë Euro, është kjo shifra që Milani duhet të nxjerrë nga arka për të rikthyer në San Siro gjigandin me origjinë nga Ballkani. 42 milionë Euro, klubi i presdentit Silvio Berlusconi do ti paguajë për kontratën që pritet të firmosë 33-vjecari, Ibra do të përfitojë 7 milionë Euro në sezon ndërsa pritet të nënshkruajë një marrëveshje 3-vjecare që përfishinë edhe taksat kap shifrën e kripur të 42 milionë Eurove. 6 milionë Euro të tjera Milanit do ti kushtojë blerja e kartonit të Ibrahimovic nga Paris Saint Germain, ndërsa 2 milionë Euro do ti përfitojë në formë komisionesh menaxheri i futbollistit Mino Raiola, gjithcka për një total prej 50 milionë Eurosh. Megjithatë Milani në merkato nuk kërkon të përforcojë vetëm sulmin por edhe mbrojtjen. Kuqezinjtë vazhdojnë të këmbëngulin për talentin e Romës Alesio Romagnoli për të cilin ofrojnë deri në 25 milionë Euro./SS