Dashuria e tij për fanellën e kombëtares braziliane është aq e madhe saqë Thiago Silva kurrësesi nuk mund ta fshehë zhgënjimin për faktin se nuk është grumbulluar nga trajneri Carlos Dunga për 2 miqësoret e muajit shtator që Selecao do të zhvillojë ndaj Kosta Rikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me Luiz Felipe Scolarin në stol ai jo vetëm që ishte kapiteni i 5-herë kampionëve të botës, por konsiderohej edhe si një lider i padiskuteshëm i skuadrës.
Por, me marrjen e drejtimit nga Dunga mbrojtësi i Paris Saint Germain fillimisht humbi shiritin e kapitenit të cilin e mori Neymar dhe më pas edhe vendin në formacion, me trajnerin e ri që preferon më tepër dyshen Miranda-David Luiz.
Tashmë vjen edhe mosgrumbullimi nga Dunga për 2 miqësoret e muajit e shtator, fakt ky që ka mërzitur së tepërmi Thiago Silvën.
Dicka të tillë e pranoi për mediat edhe vetë futbollisti 30-vjecar:
“Jam i zhgënjyer, është e vështirë për mua ta pranoj dicka të tillë.
Nuk e kuptoj përse Dunga nuk më ka grumbulluar.
Do të jetë një gjë e cuditshme për mua të qëndroj te Parisi gjatë pauzës së kombëtareve me vetëm 5 apo 6 lojtarë të tjerë, pasi nuk jam mësuar”.
Gjithsesi, sipas Thiago Silvës ky mosgrumbullim nga Dunga do ta motivojë më tepër atë për të punuar fort dhe për të fituar sërish vendin e tij në kombëtare:
“Psikologjikisht jam i qetë pasi e di që jam një futbollist i mirë.
Ky fakt do të më motivojë më shumë për të punuar akoma edhe më fort.
Jam i bindur se nëse jap më të mirën time me Paris Saint Germanin, Dunga do të më grumbullojë sërish në kombëtaren e Brazilit”.
Thiago Silva është pjesë e përfaqësueses braziliane që prej vitit 2008, teksa numëron 58 paraqitje dhe 4 gola me Selecaon.
Trofeu i vetëm që 30-vjecari ka fituar me Brazilin është Kupa e Konfederatave në vitin 2013.