Në emër të Prokurorisë së pavarur të shtetit bëjmë me dije se pas një hetimi dy vjeçar ka përfunduar në pranga ish- ministri Kseriko.
Prokuroria shqiptare ka hetuar me vemendje gjatë këtyre dy vjetëve se kush qëndronte pas këtij ministri.
Nga hetimet e para na rezultoi se ky ministër i kishte dhënë 240 milion lekë Sandrit, pa prokurim dhe pa letra, vetëm me një email të vëllait të Sandrit, që shante këtë ministrin si katundar dhe fliste me zëdhënsen e tij, me fjalë të pahijshme të tipit “Vari k..” , “q.. nënën” etj.
Edhe pse vjedhja ishte flagrante, fakti që pas vjedhjes shfaqej Sandri, na bëri të reflektojmë thellë. Pasi e analizuam dhe studiuam me kujdes këtë situate, vendosëm që Sandrit i takonin ato lekë në të gjitha variantet, se ja kishte taksur Doktori, kështu që viktima nuk kishte faj.
Nga ana tjetër, u verifikua se atij nuk i kishte ngel qejfi as për fjalët e pista të zëdhënëses së tij, as për cilësimin katundar. Duke e parë me hollësi çdo detaj dhe duke llogaritur se nuk kishim pse t’i binim më qafë Sandrit, e mbyllëm çështjen dhe e arkivuam.
Por, hetimet nuk i mbyllëm kurrë. Përmes një skeme të fshehtë investigative, ne arritëm të depërtonim deri në kokë të PD, për të verifikuar nëse PD ishte gati të hidhej në zjarr për Spiron, apo jo. Kështu, i dërguam fjalë Doktorit, duke i thënë që ka rrezik të arrestohet Ridvani, Imami, dhe Spirua. Ai u mendua pak dhe tha: “Për Spiron e besoj, për këta të tjerët jo”.
Nga kjo kuptuam sa i për Spiron nuk mërzitej.
Po kështu, i çuam fjalë dhe Lulit, duke i thënë se kemi disa çështje në tavolinë, 21 Janarin, përgjimet e Imamit dhe tenderat e Spiros. Ai pa u menduar fare tha se kishte dëgjuar fjalë jo të mira për tenderat e Spiros. Kjo na bindi dhe më shumë se kishim të bënim me dikë që nuk cenonte integritetin e PD.
Hetimet tona u shtrinë dhe nga PBDNj. Pas disa hetimesh na rezultoi se dhe ata nuk ishin shumë të mërzitur nëse arrestohej.
Por, kapakun kësaj pune ja vuri fjalimi i Koços në Vlorë, që do të njihet tani e tutje si “Fjalimi i Pleniumit të Vlorës”. Në atë fjalim, Koçua na e bëri të qartë të gjithëve, që çdo këmbë greku nuk duhet të mbetej në këmbë tani e tutje. Megjithëse rezervat e tij kryesore ishin për Vangjelin, duke i nisur nga kënga popllore, “Njëri hyn, tjetri del, njëri Spiro, tjetri Vangjel” vendosëm që meqë Vangjeli doli nga koalicioni, ta paguante Spirua duke hyrë brenda.
Kjo është tabloja sinoptike që bëri të mundur arrestimin e Kserikos.
Prokuroria shqiptare është e lumtur për këtë arritje dhe i bën thirrje prokurorëve tani, të gjejnë një akuzë tamam dhe të hetojnë përse mund ta dënojnë, përveç asaj punës së Sandrit.