Personazhi i famshëm i formularit për kryetar të PS-së, u shfaq sot sërish me një sërë kërkesash, të cilat kërkojnë të vënë në vend dinjitetin e tij.
Ja peticioni që ai lexoi para selisë së PS:
1.Në emër të socialistëve të vërtetë, u kërkoj rilindasve, të mendojnë një moment për fatin e partisë sonë, pasi kanë kaluar 4 vjet dhe nuk ka lindur përsëri kryetari i PS. Kjo vonesë në lindje vë në dyshim aftësinë tonë ndërzyese dhe aftësinë lindëse të nënës parti.
2.Kam dëgjuar sot Pandeli Majkon që ka thënë se rilindasi i fundit i tokës shqiptare është Arbën Xhaferi, i cili ka vdekur nja tre vjet më parë. Sipas kësaj, i bie që këta që kanë ardhur në pushtet nuk janë rilindas, ose do quhen të tillë pas vdekjes. Kjo duhet saktësuar mirë në statutin e ri të PS.
3.Njoftojmë zotin Taulant Balla, të na hapi rrugë dhe të na lejojë dhe ne të marrim formularin për t’u zgjedhur në krye të PS, pasi e drejta për të rilindur nuk i përket vetëm një pakice.
4.Njoftojmë zotin Ben Blushi të mendohet mirë kur të hyjë në garë, pasi kjo nuk është një garë bipolare, por tripolare dhe se ne jemi socialistët e vërtetë. Beteja e sotme në PS është betejë mes nanoistëve dhe rilindasve. Unë që kam qenë kundërshtar i vjetër i Fatos Nanos jam dhe kundërshtar i Rilindjes, si i tillë jam socialist i vërtetë.
5.I them zotit Edi Rama të mos ketë frikë nga zgjedhjet, mjafton të shtojë në statut një pikë për gjatësinë e kandidatëve dhe ai e ka të fituar.
6.I them zotit Kokëdhima, se unë nuk pyes fare për autoritetin e tij, pasi nuk kam pyetur kur kjo quhej parti e Kokës, dhe jo më të trembem tani, që quhet e Kokëdhimës.
7.I them zotit Erion Veliaj, të marrë masat në Bashkinë e Tiranës, dhe të mos lejojë inspektorë të gjobisin anëtarët e fraksionit tim, që bëjnë shurrën para pemëve të PS, pasi nuk na qasin në godinë dhe s’kemi ku ta bëjmë.
8.I kërkoj zotit Gramoz Ruçi, të mos na vështrojë me inat kur del nga selia e PS, pasi askush nga ne nuk punon në Albpetrol.
9.I lutemi shumë zotit Saimir Tahiri, të përmbajë policinë dhe të tregojë dhembshuri për ne socialistët e vjetër, pasi jemi mësuar që një herë në katër vjet të bëjmë kongres, se atë festë kemi. Ai duhet ta kuptojë, që ky nuk është grumbullim i paligjshëm, por grumbullim instiktiv.
10.Falenderojmë nga zemra zotin Sali, për vlerësimin e lartë që na bëri, si një grup që po rrëzon nga pushteti Edi Ramën, dhe e sigurojmë atë, se nuk do ta zhgënjejmë, siç e ka zhgënjyer Luli, që çdo muaj thotë Edi Rama do rrëzohet dhe Edi Ramës nuk i hyn gjëmb në këmbë. Të na kishte zgjedhur ne në vend të Lulit, e kishim rrëzuar tani.
Me duket se eshte Raimonda Stefa ajo qe nuk e lene te kandidoje…. Hahaha