Kukunews: Shkolla nuk t’bon njeri, as president!

23 Janar 2016, 20:01Antena TEMA

Rubrika “Antena brenda Familjes” sot sjell arsyetimin e Presidentes Jahjaga dhe ish-kryeminstrit Thaçi mbi rezultatet e tyre të dikurshme në shkollë. Kolegët tanë të Kukunews në Kosovë, kanë arsyetuar notat që kanë marrë me detyrën që kanë.

Jahjaga: Shkolla nuk t’bon njeri

Presidentja e Kosovës ka reaguar ndaj publikimit të notave të saj sa ishte në shkollën e mesme duke i cilësuar ato si të parëndësishme në raport me arritjet e saja.

Duke folur për 1-shat që ka pasur gjatë kohës sa ka qenë në shkollën e mesme “Sami Frashëri”, Jahjaga ka thënë se populli i Kosovës e di shumë mirë që në shkollë të mesme të gjithë duan më shumë kënaqësi sesa mësim.

“Fillimisht dua të sqaroj se ato nota të publikuara kanë qenë të gjysmë vjetorit të parë dhe i kam bërë 5-she të gjitha në gjysmë vjetorin e dytë. Dhe mbi të gjitha, shkolla nuk t’bon njeri”, ka thënë Jahjaga.

Duke sqaruar 1-shat e saj, Jahjaga ka thënë se shumica e tyre kanë qenë të vendosura pasi duke e pasur emrin me A, gjithmonë i ka rënë të “pyetet e para” dhe kësisoj gjithmonë profesorët e kanë zënë “pa përgaditë”.

“Shkolla e mesme do pak kënaqësi dhe kjo vështirësohet kur e ke emrin me A sepse je e para në ditar”, ka thënë Jahjaga.

Ajo e ka cilësuar shkollën e mesme si njërën ndër periudhat më të mira të jetës së saj, pasi që qysh prej atëherë ajo kurrë nuk është kënaqur.

“Si u kry shkolla e mesme, erdh fakulteti, diplomo, magjistro, hina n’polici, u bona presidente, s’po ka njeri vakt as ni kafe për qefi me pi”, ka thënë presidentja.

Drejtori i shkollës në Skenderaj: Thaçi i ka kallë ditarët

Meqenëse sot u caktua të jetë dita kur të gjithë flasim e shkruajmë për notat e presidentes kur ka qenë në shkollë të mesme, gazetarët vigjilent të Kukuneës kanë shkuar në Skenderaj për të gjetur edhe notat e liderit të partisë më të madhe në vend, Hashim Thaçit.

Duke kërkuar në arkivat e shkollës “Hamëz Jashari” në Skënderaj, gazetarët nuk kanë mundur të gjejnë askund ditarin e klasës ku ka qenë Hashim Thaçi për 4 vite radhazi. Kemi kërkuar llogari nga Departamenti i Arsimit në Komunën e Skenderajt por ata nuk folën me gazetarët tanë, pasi janë në grevë.

Ndërsa drejtori i shkollës në Skenderaj, Adem Jashari ( jo heroi legjendar i Kosovës) i ka thënë Kukuneës se arsyeja përse nuk mund të gjendet ditari i klasës së Thaçit është e thjeshtë: nuk ekzistojnë.

Por përse, a thua vallë?

“Thaçi ka qenë pak temperament si adoleshent. Çdo fundvit për 4 vite radhazi, ai së bashku me shokët e tij Sami Lushtakun dhe Gani Gecin i kanë kallë ditarët e klasës së tyre pasi shumica në atë klasë kanë qenë shumë të dobët”, ka thënë Jashari.

Por drejtori nuk ka dashur të komentojë se cilat kanë qenë notat e Thaçit. Në vend të tij ka komentuar kujdestari i klasës e2-ta III, Halim Thaçi.

“Thaçi nuk ka pasur nota por ka pasur vetëm pika që dmth nuk ka mujt kurr mu pyt sepse ose ka mungu ose ka qenë i papërgadit”, ka thënë Thaçi.

Tash gazetarët tanë janë nisur drejt Gllogjanit, Podujevës dhe Mitrovicës për të gjetur të tjerë ditarë të të tjerë liderëve politik në vend.

1 komente në “Kukunews: Shkolla nuk t’bon njeri, as president!”

  1. Alma Mile says:

    Tan keta udheheqesit e Kosove lockes jane gomare, mo pyet ma a eshte Hashimi, Hajredini, Ramushi, Bitushi, Jahjaga apo bajga njeri me shkolle nga ketan hajdutet e klases se Prishtines.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje