Çfarë presin partitë nga reforma në drejtësi?

15 Janar 2016, 20:58Antena TEMA

Pasi përfundoi punën Komisioni i Reformës për Drejtësi, dhe u dërgua në Venecia drafti bashkë me dy opinione, pati një sërë deklaratash të politikanëve shqiptarë që komentojnë atë çfarë presin të kthehet nga Venecia.

Edi Rama: As kam parë çfarë po ikën, as do lexoj çfarë do vijë, por i vetmi shqetësim që kam, është të mos nisim të vëmë vetulla e të nxjerrim sytë. D.m.th të mos përfundojë kjo punë, as reformë, as qeveri. Të paktën të shpëtojë njëra.

Ilir Meta: Që do ketë reformë, do ketë, dhe që do vihet drejtësia në vend, do vihet, d.m.th do shkojë haka tek i zoti. Por nuk them dot nëse do të ndodhin të dyja, pra që të kemi reformë dhe ta kemi në drejtësi.

Lulzim Basha: Kemi bërë propozimet tona shumë konstruktive. Në Kushtetutë do të futet një nen, i cili sa herë që ka zgjedhje, llogaritë sa deputetë ka marrë Partia Demokratike dhe automatikisht, lëviz kufirin me sa vota duhet të miratohet një anëtar i Gjykatës së Lartë, asaj Kushtetuese dhe KLD. P.sh, nëse marrim ne nën 70 vota dhe kundërshtari më shumë, atëhere të kërkohen 94 vota, që t’i ndajmë bashkë. Nëse ne marrim mbi 70 vota, të mbetet me shumicë të thjeshtë 71 vota. Nëse marrim mbi 84 vota, le të kalojë në shumicë të cilësuar. Pra Kushtetuta duhet të jetë fleksibël në varësi të vullnetit të shqiptarëve në raport me PD. Kjo është diçka e drejtë, e arsyeshme, por dhe e domosdoshme.

Sali Berisha: Drejtësia kështu siç është sot, është në kulmin e saj. Këtyre zotërinjve ua ka verbuar sytë ora e Gjin Gjonit, por ky është problemi i tyre, jo i shqiptarëve. Këta duan të bëjnë drejtësi jakobine, të rihapin varret e Gërdecit e 21 Janarit, por ne nuk do t’i lejojmë. Këta janë nekrofilë, ne jemi e ardhmja. Përpara!.

Fatmir Mediu: Jemi absolutisht kundër këtij drafti, i cili i heq të drejtën çdo politikani të bëjë një nder, një miku apo një shoku. Kjo do të thotë ta vdesësh politikën dhe ta bësh të ftohtë ndaj njerëzve. Nuk do ta votoj kurrë.

Bujar Nishani: Siç tha dhe Doktori, jam i shqetësuar se këta duan të largojnë nga drejtësia njerëz me kontribute të mëdha dhe të dëgjueshëm dhe të vënë njerëz arrogantë. Siç e keni pare, kanë bërë çështje të madhe pse i kam shkruar unë një letër gjyqtares dhe pse më ka respektuar ajo. Se këta janë mësuar t’u çojnë lekë në zarfa. Unë shkresë zyrtare i çova dhe ajo reflektoi. Kjo është drejtësia që duam, jo të korruptuarit, që duan lekë në zarf.

Donald Lu: Kjo u nis si reformë në drejtësi dhe ka për të përfunduar si reformë tek zyra e emigracionit të ambasadës së SHBA, pasi kam frikë se gjysma e deputetëve do ndalohet të marrë më vizë amerikane.

 

1 komente në “Çfarë presin partitë nga reforma në drejtësi?”

  1. Mihallaq Furxhi says:

    Per mendimin tim a do te jete e gatshme dhe sa kohe do t e duhet ti shtyhet visa nga zyra e emigracionit te ambasades se SHBA kesaj mase relativisht te madhe te ketyre parlamentareve “te kulluar ne anen korrupsionit”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje