Doktori ishte magjik në Kuvend, aq sa Edi Rama u bë xheloz dhe e i tha, “je bërë avokat pa pagesë i LSI”. Ky debat i prishi terezinë Kunatit, i cili tani duhet të ridimensiononte gjithë qëndrimet e PD ndaj LSI, që të ishin në një linjë me Doktorin.
Për këtë thirri me urgjencë Kryesinë e ngushtë të PD, të diskutonte situatën e re.
“Siç e keni vënë re, tha Kunati, jemi para një situate të re politike. PD historikisht nuk i ka konsideruar partitë kundërshtare bardhë e zi, por i ka parë me ngjyra. Siç e dini, në vite ne kemi pas aleancë me Ballin Kombëtar Demokrat dhe kundërshtar Ballin Kombëtar, kemi qenë aleat me legalistët demokratë dhe jo me legalistët, kemi qenë në aleancë me socialdemokratët që u bënë liberal demokratë dhe jo me ata të Gjinushit. Kemi pas Partinë tonë Agrare Demokrate, Partinë Ambjentaliste Demokrate, Partinë Nacionaliste Demokrate, Partinë Republikane Demokrate etj. Tani ka ardhur koha të kemi dhe LSI demokrate.
Në këtë kontekst, duhet kuptuar ajo që Doktori po bën me LSI. Nuk është fjala se ne duam aleancë me çdo kusht me LSI, por puna është se nga studimet tona, shumica e elektoratit të LSI, është i PD, dhe ne duhet të krijojmë fraksionin demokrat të LSI, që në çdo rast, po nuk erdhi me ne Ilir Meta, t’i marrim fraksionin demokrat.
Kjo është ajo që doja t’u shpjegoja dhe që duhet të bëjmë kujdes në public”.
E para pyeti koordinatorja për Marrëdhënie Seksuale në PD.
-D.m.th me këta të fraksionit demokrat, ne mund të bëjmë dashuri si parti, tha?
-Po patjetër, tha Kunati. Me ata nuk ka asnjë problem. Janë dora jonë.
-Shumë mire, tha e lehtësuar koordinatorja, dhe i shkëlqyen sytë, sikur të kishte ndonjë rast nëpër duar.
-Kam një pyetje nga Departamenti i të Përndjekurve Politik, tha një djalë me syze. A mund të konsiderohet se gjithë këto sulme ndaj Metës, kanë qenë një përndjekje politike, d.m.th a ta përfshij unë tek puna e Departamentit tim?
-Akoma jo, tha Kunati. Një herë duhet të punojmë me bazën.
-Kam një pyetje unë, tha Muli. Si do vejë halli im me Colen, se e kam pas rival në Kukës dhe më duket se e kemi dhe krushk në PD tani? Duhet të pajtohem unë apo jo?
-Mund të pajtohesh, i tha Kunati, po varet e a të flet Colja.
-Kisha diçka që duhet t’ia përcjellësh të nderuarit kryetar të PD, tha Strazua. Po e përsëris që kam rezerva të thella për të dhe ai nuk mund të bëjë me kokën e tij çfarë i thotë truri.
Në sallë u vendos heshtja.
-Jam i informuar që ai punon me orar të tejzgjatur dhe fle vetëm dy orë natën, duke menduar natë e ditë si të fitojmë. Ne duhet të marrim një vendim, që ai të detyrohet të flejë tetë orë gjumë dhe të bëjë jetë të rregullt. Fitorja është përgjegjësia jonë dhe meritë e tij. Unë jam i vendosur të qëndroj ashpër në këtë pikë.
(Duartrokitje në sallë)
-Do t’ia them, tha Kunati, po e vërteta është që ka filluar fle më shumë se sa thatë ju, por do t’ia them. Ndonjë ide për LSI a ke?
-Kam, si nuk kam. Çfarë kanë bërë këta zotërinj të LSI që t’ia lehtësojnë punën kryetarit tonë të nderuar? Asgjë deri më sot. Dhe derisa të japin prova për t’ia lehtësuar punën atij, nuk dua të flas për ta.
-Mirë, tha Kunati. Ti Ruli kishe diçka?
-Nuk kisha ndonjë gjë të madhe djalo jo, por po e takuat këtë Ilir Metën, thuajini dhe ndonjë fjalë të mirë për mua, se unë dhe nuk kam folur kundër tij.
-Do t’i them patjetër, tha Kunati, dhe mbylli mbledhjen.