Zeni notë proteste Gjykatës së Strasburgut, për dëmshpërblimin ndaj Delijorgjit

11 Shkurt 2016, 20:03Antena TEMA

Pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, e cila vendosi të dëmshpërblejë Delijorgjin me 15 mijë dollarë për bllokimin e tejzgjatur të biznesit, pas vdekjes së 26 vetëve, Zeni u ndje i fyer në sedër dhe i dërgoi Gjykatës Evropaine të të Drejtave të Njeriut një letër proteste.

“Të nderuar gjyqtarë!

I nderuar zoti kryetar!

Po ju shkruaj në cilësinë e personit që ka dijeni për biznesin e demontimit në Gërdec, ku familja ime ka pësuar dëmet kryesore materiale, morale dhe politike dhe ka pasur dinjitetin të heshtë dhe të mos kërkojë dëmshpërblim.

Unë që po ju shkruaj në këto momente më dridhen duart nga emocionet, pasi në atë tragjedi humba burrin e tezes, të cilin e çova aty, që të kisha njeriun tim në biznesin që kisha me ortakët e mi të deklaruar, që ju u dhatë të drejtë.

Pas tragjedisë që ndodhi, humbja e burrit të tezes ishte humbja njerëzore, që na ndodhi dhe që na komplikoi situatën, pasi prej asaj kohe jam ftohur dhe me tezen.

Përveç atij dëmi njerëzor, unë kam pësuar një dëm të madh financiar, pasi llogarisja të fitoja rreth 8 milion euro nga ai biznes dhe i kombinuar dhe me biznesin e dërgimit të fishekëve kinezë në Afganistan, fitimi mund të shkonte deri në 20 milion euro. Por, siç e dini biznesi u dëmtua rëndë nga shpërthimi dhe pakujdesia që treguan punëtorët dhe unë pësova një humbje të madhe financiare.

Por, përveç humbjeve njerëzore dhe financiare, ne humbëm dhe politikisht, pasi babi im u përfol për shkak të pazotësisë së disa ministrave të tij, të cilët si njerëz të paaftë i linin letrat sheshit. Kështu, përshembull Aldua në vend t’ia çonte faksin qeverisë, ma dërgonte mua tek zyra dhe e protokollonte dhe me shënimin sipër për emrin tim. Fatmiri më regjistronte gjithë hyrjet e daljet para kontratës deri në 40 herë në javë. Ndihmësit e tij flisnin lartë e poshtë, se po ndihmojmë Zenin të bëjë një punë në Vorë. Kështu që kur ndodhi tragjedia, babai u mërzit shumë, se përveçse humbi baxhanakun dhe biznesin e djalit, pati dhe probleme të forta brenda partisë, sa ju desh gjashtë vjet luftë derisa humbi pushtetin, të merrej vetëm me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, që deshën ta dëmtonin pas Gërdecit

Po ua them gjithë këto për t’iu kujtuar se Delijorgji nuk e meriton atë dëmshpërblim, pasi ai ishte i punësuari im aty. E gjithë skema e biznesit, që nga partneri amerikan, e deri tek ai shqiptar, ishin të mijat. Unë u investova në qeveri për koncesionin, unë e mora, unë e ndërtova dhe imja ishte deri në fund. Pas shpërthimit, fola gjysëm ore në telefon me Delijorgjin dhe e qortova rëndë që kishte qenë i pakujdesshëm dhe i thashë që është hera e fundit që po ta fal. Do bësh nja dy vjet burg e do dalësh, i thashë. Ai paska bë namin se ka ndenjë disa javë më shumë.

Tani pas gjithë këtyre peripecive, ai tregohet i pangopur dhe vjen u kërkon lekë dhe ju.

Nëse meriton dikush lekë nga ai biznes jam unë, por unë nuk dua, jo vetëm se kam plot, por se nuk dua t’ua kujtoj atyre katunarëve atje, që po bëjmë akoma lekë me gjakun e tyre, se nuk i dihet çi thotë mendja ndonjërit në këtë depresion ku e ka fut vendin Edi Rama. Ngrihet e vjen na fut ndonjë koqe plumbi mes Tiranës.

Ndaj dhe ju keni bërë gabim që e keni trazuar prapë këtë punë. Para se të merreni me këtë çështje duhet të më kishit pyetur së paku mua, siç bën çdo gjyqtar serioz në Tiranë, si njeri që kam dijeni për gjithçka ishte bërë aty.

Me shpresë se nuk do ta përsërisni këtë gabim me ortakët e tjerë të mi.

I juaji, Zeni!”

2 komente në “Zeni notë proteste Gjykatës së Strasburgut, për dëmshpërblimin ndaj Delijorgjit”

    1. adi says:

      z zeni
      une jam ish pronar
      mqs ti ke shume mundesi ne kete jete
      ke hapsire ne media e sidomos ne gazeta
      po me e rendesishmje eshte se ti ke shume miq te perbashket me ramen.
      si mihalin psh.
      te lutem edhe per hir te fisnikerise qe e ke te ngjashme me ramen.
      pyete delijorgjin si ja beri qe i mori rames leket e gjykates se strasburgut ,se ne jemi me mijra pronare qe i kemi fituar gjyqet ne starsburg po rama nuk denjon te zbatoje keto vendime.
      flm

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje