Ka pasur shumë kritika ditët e fundit ndaj Jarit, dhe shumica e kritikëve, i bëjnë presion në një pikë delikate: I kërkojnë Jarit të shpjegojë përse mendohet para se të firmosë.
Duke e parë se kritikat janë shtuar, Jari bëri një përgjigje për gjithë kritikët, të cilët i mirëkupton, dhe sqaron arsyet e veta:
“Të dashur miq!
Ka disa ditë që po më kritikoni që unë mendohem shumë para se të firmos ndonjë dekret të ardhur nga qeveria. Kështu, përshembull po kritikohem përse nuk firmos dekretet për emërimin e dy ministrave në postet e tyre.
Po ua sqaroj me aq sa mundem.
Unë kam bërë një marrëveshje me Doktorin kur u bëra president, dhe ai këmbënguli në disa pika që unë nuk duhet t’i harroj kurrë. Ai më theksoi se kur vjen fjala për të hequr dikë, mos u mendo, por kur vjen fjala për të emëruar dikë, duhet të më pyesësh mua.
Tani unë firmosa dje shkarkimin e dy ministrave dhe i bëra telefon Doktorit se çfarë duhet të bëj me këta të dy të rinjtë.
Më tha, “Jari prit pak, se të sqaroj nesër”. Sot kam pritur gjithë ditën, por kishte mbledhje në parlament dhe më këputi shpirtin, duke e parë si ropatej lartë e poshtë duke sulmuar Ben Ahmetaj. Kjo besoj se është një sinjal që unë nuk duhet të nxitohem në këtë çështje.
Kur pushoi seanca, ai nuk mori telefon. Unë do ta kujtoj dhe një herë nesër, por pa më thënë ai nuk e bëj.
Nga ana tjetër, letra që duhet të firmos unë për emërimin, duhet shkruar nga e para. Edi Rama më ka sjellë vetëm një copë letër, ku thotë ikën ky, vjen ky. Kështu nuk bëhet. Dekretet duhet të jenë të ndara. Pra, duhet një letër ku të thuhet se qeveria propozon të emërohet ministër i Ekonomisë “Filan Fisteku” dhe minisitër i Financave “Filan Fisteku”.
Tani kjo letër do kohën e vet për t’u shkruar, dhe mendoj që dy fjali t’i shkruaj sot dhe dy nesër, me qëllim që ta ndaj ngarkesën në punë. Pastaj duhen zëvendësuar dhe gërmat ë dhe ç, të cilat më mungojnë në kompjuter. Sapo t’i kem gati të gjitha këto, mud ta dekretoj.
Por, kryesor mbetet fakti që Doktori ishte mërzit shumë nga replikat në parlament me atë Ahemtajn dhe kjo është një gjë shumë e rëndë, të cilën nuk duhet ta lejojmë.
Ka dhe një detaj tjetër. Emërimi i ministrave të rinj, bëhet përmes një ceremonie në Presidencë, dhe më thotë kjo sekretarja, që akoma nuk kemi blerë çaj dhe kafe për ceremoni, se Edi Rama na ka shkurtuar fondet. Pas incidentit të verës, ku ai më zuri shezlongun në Dhërmi, ky është më i rëndi. Duke shpresuar që këto probleme do ti zgjidh sa më shpejt, ju garantoj se e rëndësishme është të jemi transparentë në detyrë dhe unë po u them të vërtetën”.