Pas sulmeve që i janë bërë Lulit në shtyp, për mungesën e rolit të tij udhëheqës në PD, Kunati organizoi një mbledhje të krerëve të PD-së, pa Doktorin, për të folur për gabimet që janë bërë dhe si duhet korrigjuar në të ardhmen.
I pari e mori fjalën Kunati.
-Sot jemi mbledhur të diskutojmë hapur për vërejtjet që keni për Lulin dhe ku ka gabuar ai, tha Kunati. Mund të flisni hapur dhe për gabimet që janë bërë.
I pari u ngrit Paloka.
-Unë e kam menduar gjatë dhe nuk shikoj ndonjë gabim të Lulit. Kohët e fundit ka qenë shumë korrekt. Siç ka thënë Doktori ka bërë. Jam vetë dëshmitar në të gjitha rastet. I vetmi rast që duket sikur është gabim, është ky i Byrosë së Hetimit. Ua shpjegoj unë si është puna. Ne kemi parimet tona si parti. Po na e kërkoi një gjë kundërshtari, se bëjmë kurrë. Dhe Doktori ka ngulur këmbë shumë tek ky parim. Bazuar tek ky parim, vendothëm të provokojmë qeverinë, duke i thënë miratojeni thpejt Byronë e Hetimit se e do SHBA, e duam dhe ne. Tani duke u nisur nga parimi jonë, ata s’duhet ta miratonin. Po ata janë parti pa parime, pa ideale, pa burrëri dhe e miratuan. Ky nuk ëthtë faji i Lulit, por faji i atyre thkërdhatave që th’kanë parime.
Pas Palokës u ngrit Strazua.
-E kam theksuar dhe po e përsëris prapë. Ne nuk duhet ta lëmë kryetarin tonë të veprojë me kokë të vet, pasi shëndeti i tij është gjithçka për ne. Ai duhet të këshillohet me Doktorin për çdo gjë, për të ndarë ngarkesën e punës dhe për të ruajtur shëndetin. Nëse ai tenton t’i bëjë gjithë punët vetë, duke vënë në rrezik shëndetin e tij, e paralajmëroj këtu që do ta shkarkojmë.
Pastaj i erdhi radha Alibeajt.
-As unë nuk shikoj ndonjë të metë të madhe të Lulit në qëndrimin që ka mbajtur ndaj reformës në drejtësi, tha ai. Ka qenë shumë neutral dhe i drejtë. Gjithmonë na ka pyetur, si mua, dhe Bylykbashin, se çfarë mendon Doktori, dhe nuk ka dhënë asnjë opinion. Besoj kjo është korrekte.
Në fund foli dhe Ruli.
-Këtu u dëgjuan mendime të vlefshme, tha. Me këto ide, ne duhet të vazhdojmë të udhëheqim partinë dhe të shkojmë drejt objektivave tona. E rëndësishme është që këto mos t’ia tregojmë njeriu, por t’i mbajmë sekret, biles mos t’ua tregojmë as grave në shtëpi, se kjo është dhe e vetmja mënyrë, të mos na zënë me gurë kur të ecim rrugës. Po arritëm ta ruajmë sekretin për këto që thamë, njerëzit me siguri do na votojnë. Po e morën vesh, keq e kemi.
Shume e forte. Sidomos kjo e Rulit. Je kodosh ti Mero, ti ja ve secilit qeleshen sipas kokes ndersa Rulit i ve Kapele Republika.
Oh sa kam qeshe….
Keto shaka te Meros pak nga pak po duken si te vertata. E forte bravo