Doktori i jep porositë e fundit Jarit, për takimin në Rinas

13 Shkurt 2016, 19:24Antena TEMA

I dashur Jari. Po të dërgoj këtë letër të shkurtër një faqe, për atë çfarë duhet të bësh nesër në Rinas. Lexoje me vemendje dhe të lutem, fikso çdo detaj.

Është shumë e rëndësishme që ti të jesh aty tek shkallët, së paku 5 deri 6 hapa para djalit të Sul Bushatit, pasi nuk mund të jeni në një vijë, edhe ti, edhe ai. Në momentin që Kerry do dalë tek dera e avionit, zakonisht ata qëndrojnë një sekondë, shikojnë mjedisin përreth, ngrejnë dorën për të përshendetur njerëzit që presin dhe pastaj fiksohen, kë do takojnë të parin.

Në këtë moment ti duhet të ngresh dorën e djathtë lart dhe të bësh dhe një hap para. Bë kujdes që në këtë moment duart t’i kesh të lira dhe çadrën ta mbajë roja. Por dhe këtu duhet pak kujdes se do jetë shi, dhe çadra mund të të mbulojë pamjen dhe Kerry nuk të fikson dot. Kam një frikë se këta amerikanët zakonisht punojnë me protokoll standart dhe ndihmësja e Kerry-t mund të ketë fotografinë tënde zyrtare me mustaqe dhe do t’i ketë thënë atij, “kur të zbresim është dikush me mustaqe dhe duhet t’i japësh dorën”.

Të kam thënë dhjetra herë ndryshoje atë dreq foto zyrtare, se ke mbetur me atë të vjetrën. Po shpresoj t’i kenë bërë update këta të ambasadës. Sidoqoftë, ti bëj tënden dhe lëviz një hap më para. Porosit një roje të gjatë, shumë më të gjatë se ty, afërsisht sa Lul Basha, që ta mbajë çadrën lartë, që mos të të zërë pamjen.

Kur Kerry të jetë tek shkalla e fundi, bë dhe hapin tjetër dhe zgjat duart. Sido që të jetë, në këtë rast ai ka për ta kuptuar që ti je Bujari.

Sapo të zbresë do ti thuash mirëserdhe në Shqipërinë demokratike dhe do ta lësh një sekondë të flasë dhe ai.

Ai zakonisht thotë “mire se ju gjeta”, “qenka vend shumë i bukur” dhe “po bie shi”.

Në këto raste ti duhet t’i thuash “faleminderit”, “je i mirëpritur”.

“Doktor Berisha më dha këtë letër për ju” thuaj dhe futja drejt e në xhep, se ata s’mbajnë gjëra në duar. Ai do vihet në siklet dhe do ta mbajë. Pastaj do bëhet kurioz dhe do ta hapë kur të vijë për në Tiranë.

Zakonisht në këto raste pasi të japin dorën, ata tentojnë të ecin dy metra bashkë me ty, por ti mos lëviz nga vendi dhe mos ja lësho dorën. Kjo do bëjë që ai ta kuptojë që ti ke një hall.

Mund të pyesë “Si po ju shkojnë punët”?.

Shfrytëzoje këtë moment dhe thuaj shpejt e shpejt, që SHBA është aleati i madh i PD, por forcat neokomuniste duan ta kthejnë Shqipërinë mbrapa, duan të miratojnë Byronë e Hetimti dhe reformën në drejtësi, pa marrë pëlqimin tonë. Por aty mos e lër të flasë, po vazhdo numëroja një për një. Thuaj që janë një qeveri revanshiste, e nisën pushtetin duke hequr furgonat 8 plus 1 dhe qysh atëhere ne kemi dhënë kushtrimin për t’i përmbysur, dhe njerëzit janë duke e menduar këtë gjë, por e kemi shtyrë meqë do vije ti në Tiranë. Pastaj numëroja të gjitha, deri tek ai bunkeri që kanë bërë tek Ministria e Brendëhme. E rëndësishme është të mos ta lësh të flasë dhe të mos ta lësh të ecë. Duke ja mbajtur dorën shtrënguar, ai nuk ka mundësi t’i japë dorën Ditmir Bushatit, dhe unë do shkruaj menjeherë në Facebook:

“Ngjarje historike për Shqipërinë. Sekretari Kerry takim të përzëmërt me presidentin demokrat, mbështet atë për qëndrimin ndaj reformës në drejtësi dhe Byrosë së Hetimit. Injoron Ditmir Bushatin”.

Pastaj nëse ai acarohet që nuk ja lëshon dorën, lëshoja dhe tunde në ajër, për t’i lënë të kuptojë të iki.

Do jetë fitore e madhe, nëse ti ja mban dorën disa sekonda më shumë se Ditmiri.

Po ti shkruaj gjithë këto detaje, se është një moment historic, që nuk përsëritet më dhe do të na bënte shumë punë, sikur të realizohej pa incidente. Mos mba dosje apo sende në duar, t’i kesh të lira. Çadrën, dosjet dhe çdo gjë tjetër jepja rojes. Mba vetëm letrën time që t’ia fusësh në xhep.

I yti, Sali Berisha!

5 komente në “Doktori i jep porositë e fundit Jarit, për takimin në Rinas”

  1. Adi says:

    Po ne leter cfare do kete shkruar!!!!!!????

  2. Q.S says:

    Doktori duhet te kishte qene pak me teper I detajuar. Besoj se Jari do kete veshtiresi ti kuptoje te gjitha.

  3. RITKA says:

    Mero Baze, nenen ku ta kesh Ty mire qe te degjon Jari po dhe kerry i zbatoi te gjtiha porsit. Ahahah sa kam qesh fiks ndodhi

  4. Petriti says:

    Eh more Jar zeza. Ne vend qe te rrish rehat, vete kruhesh e pastaj fillon e i turresh maxhorances.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje