A po kërkon Basha të bëhet “kryetar” i PD, përmes reformës?

30 Mars 2016, 19:35Editorial TEMA

Nga Mero Baze

 

Prej filimit të negociatave për reformën në drejtësi e deri më sot, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka tentuar të mbajë një linjë të vetën jo publike për reformën, duke qenë pro saj, dhe një linjë publike të njëjtë me Berishën, kundër saj.

Në së paku tre cikle krizash të këtyre negociatave, në fillim kur PD më në fund pranoi të përfshihej, pastaj kur tentoi ta zhbënte reformën, duke keqpërdorur rekomandimet e Venecias, dhe tani që reforma ka përfunduar dhe po përpiqet të gjejë arsye të tjera jashtë reformës për të mos e miratuar atë, Basha ka demonstruar tjetër gjë në bisedat kokë më kokë, apo jo publike me diplomatët e huaj, dhe tjetër gjë në publik.

Të njëjtën gjë kanë bërë dhe ata të cilëve ai u ka deleguar negociatat për reformën, sidomos Eduard Halimi dhe Oerd Bylykbashi. Ngaqë ata janë më në kontakt me Bashën për këtë çështje, po ta vësh re, ngjajnë më të bindur se të tjerët, që dëgjojnë vetëm Berishën, kur bëhet fjalë nëse do të votojë PD apo jo, reformën në drejtësi.

Por, kërkesa e fundit që ata bëjnë nën zë në të gjitha rastet, është që “në finale” çështjen ta vendosin dy të mëdhenjt. Pra, kërkesa e vazhdueshme e Bashës, apo testi i përhershëm i tij, në gjithë këtë proces që u bë i lodhshëm deri në neveri nga pafuqia e tij për të thënë “Po”, ose “Jo”, është një dëshirë e tij e pafshehur, që këtë gjë ta vendosë ai në një takim direkt me Ramën.

Ky mesazh ka shkuar tek Rama në shumë drejtime, por duket se kështu lexohet dhe në çdo ngecje të Komisionit të Posaçëm të Reformës, kur Halimi apo Bylykbashi, nuk u japin dot përgjigje disa pyetjeve të thjeshta, që duan një “Po”, ose “Jo” të qartë.

Pra, duket se Basha po e përdor këtë proces për t’i dhënë shansin vetes ta marrë ai një vendim përfundimtar për reformën, me shpresë se kështu do të nxisë një diversion mes Ramës dhe Metës, dhe do t’ia dalë që edhe reforma të mos bëhet, edhe ai të njihet si “kryetar” i PD nga Rama, i cili i referohet ende Berishës si pronar i partisë.

Kërkesa e sotme e Ramës për një tryezë publike me PD, pa ndërmjetësinë e të huajve, duke u ulur të gjitha palët në tavolinë, në të vërtetë ngjan më shumë me një përgjigje publike për gjithë kërkesat finale që ka çdo i dërguar i Bashës, kur përfshihet në negociata për reformën në drejtësi. Duke kërkuar një tryezë publike ku të jenë bashkë PD – PS- LSI dhe partitë e tjera parlamentare, Rama është duke i bërë Bashës një gjysëm nderi, duke e konsideruar atë kryetar të PD, por duke ja djegur përpjekjen naive për të bërë dhe ai “diversionistin” duke përdorur reformën në drejtësi. Dhe, nuk është se nuk do t’ia vlente ta takonte kokë më kokë, nëse vërtet ky takim do ta burrëronte dhe do ta bënte kryetar të PD, sikur të ishim të sigurtë që kishte në dorë votat për reformën. Por rreziku është se një takim i tillë, që Basha e kërkon tinëz, mund të na lërë edhe pa reformë, edhe pa kryetar formal të PD.

3 komente në “A po kërkon Basha të bëhet “kryetar” i PD, përmes reformës?”

  1. "Horri i Bulevardit" says:

    Thenia e salehut, se Edi Rama ka blere 10 deputete, nga PD, eshte e vertete dhe ketu eshte edhe frika e salehut, qe reforma ne drejtesi, te mos hyje ne votim, se si nje votim i fshehte, salehu smund ti diktoje te shiturit, por qe te gjithe do ti shfajsohen salehut, se une votova kunder.
    Per kete salehu kerkon qe PD, mos te hyje fare ne votim, por te gjeje mjetet, per bojkot te parlamentit.

  2. cungu says:

    O tema po pse si botoni komentet e mija

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje