Stoku i depozitave në sistemin bankar ka shënuar rënien më të madhe që prej qershorit të vitit 2015, kur sistemi vuajti nga një rrjedhje kursimesh për shkak të frikës së krijuar nga kriza e borxheve në Greqi.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat arritën në fund të shkurtit në 982 miliardë lekë, 3.9 miliardë lekë më pa se muaji i mëparshëm, raporton Monitor.
Efekti rënës ka ardhur i gjithi nga tkurrja e depozitave me afat të individëve, që u reduktuan me 4.5 miliardë lekë, apo rreth 1.2% me bazë mujore. Që prej shtatorit të vitit 2013, kjo kategori ka shënuar rënie të pandalshme. Vetëm gjatë vitit të kaluar, rënia e depozitave me afat të individëve në lekë ishte rreth 220 milionë euro.
Arsyeja kryesore e kësaj tendence lidhet me rënien e ndjeshme të interesave, që depozituesit marrin për kursimet e tyre. Në shkurt, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i depozitave të reja me afat maturimi 12 mujor ishte 1.15%, në një nivel minimal rekord.
Kursimtarët po zgjedhin alternativa më fitimprurëse, si fondet e investimeve, apo depozitat afatgjata. Një tjetër investim me risk të larta është ai në bursa, përmes fondeve të licencuara e atyre të palicencuara, për të cilat Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka ngritur shpesh shqetësimin.
Depozitat me afat të individëve në lekë përbënin 34% të totalit në fund të shkurtit, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.