Ministrja Kodheli inspekton “Rojën e Gjelbër” në Dajt

27 Qershor 2016, 14:02Kronika TEMA

Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli inspektoi sot në Parkun Kombëtar të Dajtit task – forcën për zbatimin e moratoriumit 10 – vjeçar për ndalimin e prerjes së pyjeve, strukturë mbështetëse e së cilës është Policia Ushtarake.

Ministrja Kodheli pa nga afër praktikën e punës së “Rojës së Gjelbër”, si dhe u njoh me rezultatet e arritura nga kjo strukturë ndërinstitucionale në mbrojtje të pyjeve.

Sipas efektivëve të task – forcës, deri tani janë konstatuar 52 raste të transportit apo prerjes së paligjshme të drurëve, disa prej të cilave janë dërguar për ndjekje penale. Ajo u njoh gjithashtu edhe me tendencën në ulje të rasteve të prerjes së paligjshme të pyjeve, ku për muajin qershor janë konstatuar vetëm 4 raste.

Ministrja Kodheli e cilësoi si emergjente situatën e pyjeve dhe e konsideroi si shumë të rëndësishme mbrojtjen e tyre. “Ishim në momentin e duhur. Ishim në zgrip të një situate, realisht ndoshta që nuk do të kishim mundësi të rikthehej në situatën e mëparshme. Ndaj dhe ky angazhim i menjëhershëm i Policisë së Shtetit, Policisë Ushtarake, Ministrisë së Mjedisit me gjithë strukturat e veta, inspektorët dhe ekspertët, e bëri të suksesshëm këtë ndërmarrje. Jam më shumë se sa e kënaqur që ne jemi pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët për t’i ruajtur pyjet, për t’i ruajtur mushkëritë e vendit tonë, si një domosdoshmëri, jo vetëm në mbrojtje të këtyre ekuilibrave, por në domosdoshmëri për të parandaluar përmbytjet dhe çdo efekt negativ, të cilin ne sot e përballim nëpërmjet të gjithë situatave aspak të këndshme që kemi me natyrën”- u shpreh znj. Kodheli.

Task – forca “Roja e Gjelbër”, është një organizëm i përkohshëm për marrjen e masave emergjente për parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin nga çdo dëmtim të pyjeve publike e private. Ajo funksionon në pikat kryesore të akseve rrugore në të gjithë territorin e vendit, duke kontrolluar pikat e nxehta të identifikuara si potencial për prerje pyjesh si dhe në subjektet që përdorin si lëndë të parë drurin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje