Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka folur për herë të parë lidhur me grabitjen e Rinasit.
Ai tha se hetimi do të zbardhë përgjegjësit e vërtetë të ngjarjes.
Reagimi i tij:
Prokuroria dhe Policia po hetojnë. Sot ka njerëz që dalin para Gjykatës. Kështu që deklarata e zëdhënëses së Aeroportit më duket e çuditshme. Gjithsesi, unë besoj se hetimi do zbardhë të gjitha përgjegjësitë e të gjitha organeve. Sigurisht është ngjarje shumë e rëndë, sepse cënon realisht jo vetëm rendin publik, por dhe sigurinë kombëtare.
Ashtu siç ju ftoj dhe ju të jeni më të vëmendshëm në informimin e opinionit publik lidhur me institucionet që kanë përgjegjësi për sigurinë në Aeroportin e Rinasit.
Ka që nga viti 2004 një kontratë koncesionare e cila ndalon Policinë të kujdeset për sigurinë në Aeroportin e Rinasit. Policia kujdeset vetëm për sigurinë e udhëtarëve në terminal. Kur keni dëgjuar që “policia forcon masat në kuadër të luftës kundër terrorizmit” bëhet fjalë për masat në terminalin e udhëtarëve. Policia në Shqipëri dhe në gjithë vendet e botës kujdeset për udhëtarët – do të thotë në terminal. Kjo dhe sipas kontratës koncesionare.
Unë besoj se kontrata koncesionare duhet minimumi riparë. Sepse në këtë mënyrë nuk mund të ecet përpara me lojë të paprinciptë në publik, me kukafshehti, kush e ka fajin, e kështu me radhë.
Jeni njohur, ashtu si dhe unë, që teste të njëpasnjëshme kanë treguar dobësi themelore të sigurisë për shkak të përgjegjësisë direkte të koncesionarit dhe asaj kompanisë që paguhet nga taksat e shqiptarëve për të ruajtur sigurinë në Aeroportin e Rinasit – dhe ndërkohë ka dështuar ta bëjë këtë punë.
Ose të kontraktohet Policia e Shtetit për ta bërë atë detyrë, ose të shihet në themel kontrata koncesionare.
Por ky është mendimi im personal. Kjo mbetet për t’u gjykuar nga të gjitha instancat, nga qeveria deri te Parlamenti që e rishikon kontratën me koncesionarin. Unë besoj se ka shumë për të bërë. Ashtu siç besoj se dhe vetë Policia e Shtetit ka shumë për të bërë në këtë rast për zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e ngjarjes. Dhe kam shumë besim se nuk do jetë e largët dita kur autorët do arrestohen dhe do mbajnë përgjegjësi një-më-një përpara ligjit.
Por deri në atë moment, na duhet të shohim sistemin i cili duhet të garantojë paprekshmërinë. Na duhet të vlerësojmë të gjithë mekanizmat e sigurisë në Aeroportin e Rinasit që duhej domosdoshmërisht të parandalonin. Në një bankë të nivelit të dytë të hysh dhe dera nuk hapet nëse nuk ta hap operatori brenda. Po si mund të huhet në Aeroportin e Rinasit dhe askush nuk e merr vesh, por e marrin vesh pasi del makina?