Partizani është mundur në testin e parë miqësor që zhvilloi në Antalya, kundër gjigandëve të futbollit turk, Fenerbahçes.
Një 90-minutësh mjaft i bukur u zhvillua mes të dyja ekipeve ku dhe interesi i tifozave ishte i larte, sfide e cila u transmetua live dhe në kanalin e TemA TV.
15-herë kampionët e shqipërisë u mundën me rezultatin 3-1 përballë një skuadre e cila është shumë më e fortë se të kuqtë duke treguar një kualitet dhe përgatitje të lartë në krahasim me Partizanin.
Fenerbahçe arriti që të zhbllokojë shumë shpejt rezultain, ku në harkun e 7-minutave arritën që të shënonin dy gola me autor Tufan dhe Fernandaon, të cilat erdhën dhe për shkak të një pakujdesie në mbrojtjen e Partizanit.
Rasti i vetëm në pjesën e parë për ekipin kryeqytetas erdhi në minutën e 40-të me anë të Ekuban që iu afrua golit.
Në pjesën e dytë është sërish Ekuban në minutën e 49-të, që shpërdoron një rast të pastër për të ngushtuar rezultatin.
Në minutën e 81-të Koybashi shënon dhe golin e tretë për Fenerbahcen.
Reagimi i Partizanit erdhi pas një minute me bomberin, Caleb Ekuban, që shënoi golin e vetëm për të kuqtë në këtë takim të parë miqësor.
Një test që do t’i shërbejë trajnerit, Sulejman Starova, për të rikuperuar difektet që u shfaqën në këtë sfidë edhe pse Fenerbahçe është një ekip shumë i fortë.
Ndeshja e rradhës për të kuqtë do të jetë kundër Qabala me datë 13-janar./f.b