Gazeta italiane “La Repubblica” ka përzgjedhur një gazetare të veçantë për të raportuar nga Tirana për ecurin e stadiumit që po ndërtohet nën rrënojat e “Qemal Stafës”. Shtypi Italian kishte dërguar në kryeqytet atë që të gjithë këtu e njohin si këngëtare por për “La Repubblica” ajo është një gazetare, Evi Reçin. Nga Tirana Reçi ka treguar me detaje ecurinë e punimeve, më pas ka sqaruar sesi është çmontuar fasada e stadiumit, i cili do të vendoset në brendësi të “Arenës Kombëtare”.
Në prestigjozën italiane bëhet e qartë se ky është një projek që flet sipas stilit fiorentin, ndërsa studioja që po punon në planin e arkitekturës së stadiumit është “Archea Associati” me arkitekt Marco Casamonti. “Qemal Stafa”, tashmë i shpërbërë ishte projektuar në 1939 nga një tjetër arkitekt fiorentin, Gherardo Bosio i thirrur në Shqipëri nga Musolini.
“Jemi në Tiranë dhe po vëzhgojmë punimet në stadiumin e ri që po ndërtohet në kryeqytetin e Shqipërisë, pikërisht ish-‘Qemal Stafa’ që do të quhet tashmë ‘Arena Kombëtare. Po shohim se punimet po ecin me ritme të shpejta. Fasada e vjetër është çmontuar, pikërisht ajo që do të montohet në brendësi të stadiumit. Ky stadium nuk do të jetë thjesht një impiant sportiv ku mund të shihen ndeshjet e futbollit që do të zhvillohen aty, por edhe një qendër multi-funksionale, ku do të gjejmë palestra, zyra, hotel, restorant e të tjera shërbime të nevojshme për vizitorët.
Ne jemi këtu për të ndjekur ritmet e punimeve dhe si po procedohet. Shpresojmë që gjithçka të ecë sipas programit. Kujtojmë se në ditët e fundit është gjetur edhe një tunel në hapësirën e stadiumit. Një tunel, i cili sipas hipotezave të ngritura mund të jetë ndërtuar në kohën e komunizmit, ose në periudhën e pushtimit italian”, mbyll reportazhin e saj Evi Reci, një personazh që në Shqipëri njihet si këngëtare.