Fjalimi i Jarit për çështjen Balili në Këshillin e Sigurimit Kombëtar

3 Shkurt 2017, 21:24Antena TEMA

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Jari mbajti  fjalimin kryesor, ku argumentoi përse ishte mbledhur Këshilli për çështjen Balili.

Në fjalimin e tij të përgatitur me shumë kujdes, ai mes të tjerash tha:

“Jemi mbledhur këtu sot, për një rrezik serioz që cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Siç jam njoftuar nga kryetari i Kuvendit, forca të errëta, që duan të keqen e Shqipërisë, kanë dizinformuar në Uashington në lidhje me Klement Balilin.

Fakti që qeveria amerikane është dizinformuar, tregon se segmente të qeverisë shqiptare kanë bashkëpunuar me Balilin, në këtë dizinformim.

Kjo ka bërë që SHBA t’ia paraqesë këtë shqetësim zotit Meta, ai të ma paraqesë mua, unë t’ia paraqes zotit Berisha, zoti Berisha t’ia paraqesë zotit Basha dhe pas kësaj të marrim një vendim se si duhet të mbrojmë sigurinë tonë kombëtare.

Në gjykimin tim, unë them se duhet të krijojmë një front të bashkuar kundër të keqes, dhe të bashkohemi të gjithë ne që jemi të prekur nga kjo akuzë, kundër atyre që e kanë shpikur.

Unë gjej fajtore policinë shqiptare, e cila nuk e ka arrestuar Balilin, pasi ka dashur të shkojë emri deri në SHBA, që të dëmtonte kundërshtarët e vet.

Po ashtu gjej fajtor ambasadorin e SHBA, i cili nga dy mijë persona në kërkim në Shqipëri, shkon e kapet pas Balilit, për inate personale.

Shpresa ime është që të gjithë të prekurit nga ky zhvillim, të bashkohen me njëri- tjetrin kundër qeverisë dhe të garantojnë sigurinë kombëtare të vendit, ndryshe qeveria mund të mos rrëzohet dhe ky do jetë fundi i Shqipërisë.

Kam disa ditë që konsultohem me Doktorin për këtë çështje dhe ai është i qartë se kush është aleati i vërtetë i Balilit.

-Kush bashkohet me ne dhe bën koalicion kundër Edi Ramës, është i pastër, thotë Doktori, kush nuk ka fuqi të shkëputet nga Edi Rama, është i implikuar me Balilin.

Në fakt unë e gjej me shumë rëndësi këtë përfundim të Doktorit dhe ju ftoj të reflektoni realisht për t’u distancuar nga Balili dhe për të forcuar sigurinë kombëtare”.

1 komente në “Fjalimi i Jarit për çështjen Balili në Këshillin e Sigurimit Kombëtar”

  1. Treviso says:

    Zoti autor, keni harruar te permendni personazhin kryesor te sigurise kombetare, zotin Fazlliç qe nuk morri pjese. Mos marrja pjese e zotit Fazlliç tregon deshtimin e mbledhjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje