Muli harton listën e personave për tribunën e mitingut 18 shkurtit

7 Shkurt 2017, 18:49Antena TEMA

Pas masave të marra për parrullat që do hidhen në mitingun e 18 shkurtit, Muli filloi nga puna sot të hartojë listën e personave që do të flasin në tribunën e mitingut.

Sipas traditës, Luli ka porositur të shmangen udhëheqës të PD për të folur dhe t’u jepet zëri masës së madhe që kanë shqetësime konkrete.

Flamuri po e mendonte hollë këtë punë dhe po sillte në mend, cilët janë njerëzit më popullorë të momentit që duhet të flasin në miting.

I pari që i erdhi në mendje ishte Tik Llalla.

-Këtë do ta nxerr të flasë i pari, tha Flamuri.

Ai do t’ia përplasq në fytyrë ambasdorit Lu poshtërsitë që ka bërë ndaj drejtësisë në Shqipëri dhe aty ta shikojë ambasadori Lu me kë është populli, me Lu apo Llallën.

Pale sikur Llalla ta akuzonte direkt nga tribuna e mitingut si “sorosian”.

Aty sheshi nuk ka për t’u përmbajtur, mendoi Muli.

Pas Tikut, mendoi të nxirrte atë gocën që është drejtoreshë në Prokurori dhe që i kanë anulluar vizën.

Ajo do përshkruajë emocionet kur e morën në telefon në Gjermani, ku ishte në krevat në momentin që ra zilja, si e dorëzoi hotelin, si pagoi lekët për “check out” në mëngjes, si u nis direkt me çarter për Tiranë të arrinte orarin e takimit në Ambasadë, si hyri në Ambasadë, si i thanë ulu dhe prit pak këtu tek një stol, si ja morën pasaportën, si ja kthyen prapë pas pesë minutash dhe si i thanë “suksese në jetë”, se vizë nuk ke më.

-Këtu sheshi ka për të shpërthyer prapë, mendoi Muli.

Pastaj do dalë dhe një prokuror tjetër që ja kanë anulluar po ashtu vizën, me urdhër të zotit Lu.

Dhe ai do të sjellë emocionet e tij nga ai takim në Ambasadë, si e lanë të priste pa asnjë shpjegim, si ja vulosën pasaportën etj.

-Pastaj do kalojmë tek gjyqtarët, tha Muli.

-Të parin do nxjerr Xhin Xhonin.

Ai do flasë në emër të atyre gjyqtarëve që nuk i janë përkulur Ambasadës amerikane.

Atij ja kanë refuzuar vizën një vit më parë, por ai nuk ka bërë si këta langaraqët e tjerë që janë ankuar.

E ka duruar dhimbjen brenda vetes dhe ka vazhduar punën për drejtësi, me më shumë përkushtim se më parë.

Pas Xhin Xhonit, fjala do t’i kalonte kreut të shoqatës së gjyqtarëve, që ka protestuar ndaj ambasadorit Lu.

Dhe ai do të mbyllte fjalimin me thirrjen për të fituar dhe njëherë pavarësinë e humbur të Shqipërisë:

-Zoti Lu duhet ta dijë se Shqipëria është vend sovran dhe nuk përkulet nga presionet e imperializmit botëror dhe veçanërisht atij amerikan.

Pasaportën e japim, drejtësinë se japim, përfundoi ai.

Pasi të mbarojnë fjalimet të 23 gjyqtarët dhe prokurorët që u janë hequr vizat, atëhere fjalën do ta merrte Luli.

Duke mbështetur parafolësit që janë heronjtë tanë në drejtësi, Luli do u bëjë thirrje shqiptarëve t’i dalin zot atdheut të tyre që nëpërkëmbet nga të huajt, që bëjnë si zot shtëpie.

-Të ngrihemi bashkë për drejtësi, do thërrasë Luli në fund. Këta janë heronjtë e parë të një luftë që nuk mbaron këtu. Ne do fitojmë. Përpara!

1 komente në “Muli harton listën e personave për tribunën e mitingut 18 shkurtit”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje