7 shkurt: Axhenda e presidentit Trump

8 Shkurt 2017, 19:04Antena TEMA

Nga Lutfi Dervishi *

Presidenti Trump e kaloi ditën e martë më datë 7 shkurt, duke trajtuar me këshilltarët e tij, çështje të rëndësshme si emigracioni, siguria kombëtare, politika e jashtme, kujdesi shëndetësore, ndryshimet klimaterike, kontrolli armëve, reforma në sistemin e drejtësisë. Çështje që kanë qenë edhe kryefjala e fushatës elektorale të miliarderit të kthyer në politikan.

Presidenti SHBA-së është figura më e fuqishme politike e botës dhe lideri i superfuqisë së vetme. Ai është komandanti i ushtrisë më të madhe që ka edhe arsenalin e dytë bërthamor më të madh në glob. Zyra e Presidentit të vendit me fuqinë më të madhe ekonomike në botë, është zyra më fuqishme e planetit.

7 shkurt 2017

Ora: 9:00- 10:00. Çështja: Emigracioni! Pjesëmarrës: Drejtues, këshilltarë, CIA. Dep Shtetit.

Presidenti u informua nga përfaqësuesit e agjensive ligjzbatuese dhe këshilltarët se emigracioni është një problem i vështirë për t’u trajtuar. Shqipërisë i mungojnë kapacitete për të ngritur mure. Ndonëse ka një ulje të lehtë të numrit të shqiptarëve që kërkojnë azil më 2016, pritet përkeqësim i situatës për vitin 2017. Analistët mendojnë se për shkak të zgjedhjeve më 18 qershor në Shqipëri dhe zgjedhjeve në shtator, në Gjermani- emigratët (azil kërkuesit) do të përdoren si kartë elektorale nga të djathtët në Shqipëri dhe nga të majtët në Gjermani. Opozita e djathtë do të akuzojë qeverinë se po ua bën jetën ferr shqiptarëve të ndershëm dhe u ka lënë si rrugëzgjidhje vetëm shtegun drejt Gjermanisë. Të majtët gjermanë do të fajësojnë kancelaren Merkel se politika e dyerve të hapura ndaj emigrantëve po shkatërron Bashkimin Europian. Presidenti Trump u tha këshilltarëve se do t’i dërgonte direkt mesazh në twitter kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me porosinë: “Mos luaj më me Europën. Mos i shkel syrin Putinit”!

0ra 10:05- 10:55: Çështja: Siguria Kombëtare: Pjesëmarrës: Homeland Security, DEA, Dep. Shtetit.

Presidenti Trump u informua për mbledhjen e fundit të këshillit të sigurisë kombëtare të Shqipërisë, për dezertimin e kryeministrit Rama nga mbledhja me preteksin e një vizite të paplanifikuar në Kosovë që përfundoi me një drekë në Stamboll me Presidentin e Turqisë. Përfaqësues të DEAS — i shpjeguan Presidentit se presin rezultate konkrete nga drejtuesit e Shqipërisë në drejtim të arrestimit të Eskobarit të Ballkanit, me emrin Balil. Fakti që kokaina përfundon në SHBA dhe i kërkuari ndërkombëtar fshihet në Tiranë, është kthyer në dhimbje koke për autoritet amerikane. Analistët e CIA parashikojnë se Balili do të kapet javën e fundit para datës së zgjedhjeve , si një plan marketingu i një pjese të qeverisë ndaj pjesës tjetër në veçanti dhe opozitës në tërësi. Presidenti Trump e mbylli takimin me një tweet: “Bilali u dënua. Balili të dorëzohet. Bandilli mos të bëj më numra. Koha për shaka ishte në fushatë”

0ra: 11:00 -11:15 Çështja: Politika jashtme: Të pranishëm- zyrtarë të Departamentit të shtetit për Europën Juglindore.

Presidenti Trump theksoi në fillim të takimit se i qëndronte premtimit për të mos u marrë gjatë me çështje të politikës së jashtme, por ishte i shqetësuar ose më saktë më shumë kurioz të dinte se pse Presidenti Nishani nuk ishte informuar nga ministri i jashtëm Ditmir Bushati për votimin e Shqipërisë në OKB kundër armëve bërthamore. E kemi në listën e aleatëve Shqipërinë apo….?!

Zyrtarë të departamentit të shtetit sqaruan Presidentin se ushtarët dhe oficerët shqiptarë vijojnë kontributin e tyre në kuadër të NATOs në Afganistan dhe Irak dhe janë gati të shkojnë edhe në Jemen nëse kjo kërkohet nga Uashingtoni. Zyrtarët thanë se ende nuk janë të qartë se si një letër e ministrisë së Jashme të Shqipëri që mban në kokën e saj datën 3 shkurt, mbërriti te Presidenti 3 ditë më vonë. Distanca nga ministria e Jashtme te zyra Presidentit është vetëm 3 kilometra. Një zyrtar i sigurisë i pranishëm në takim shtoi se kjo vonesë është e besueshme duke patur parasysh trafikun në Tiranë. Por gjendja është përmirësuar sepse kryebashkiaku ka shtuar 14 autobuza fizarmonikë në unazë.

Takimi zgjati vetëm 15 minuta.

11: 15: 12:00 Çështja: Kujdesi Shëndetësor (Health Care), Pjesëmarrës: ambasadorja e Shqipërisë, zyrtarë të Dep Shëndetësisë.

Në një përpjekje për të treguar se ka modele më të mira se “OBAMACARE”, Presidenti Trump u informua nga ambasadorja e Shqipërisë në Uashington për modelin shqiptar të reformës në shëndetësi. Presidenti Trump pati shumë interes për të ditur se si Shqipëria arriti që shëndetësia të jetë falas, dhe prap pacientët (dhe familjarët etyre) të paguajnë për çdo ilaç dhe për çdo shërbim. Kjo është mrekulli- vijoi Presidenti. Duhet parë më interes. Ambasadorja tha se me futjen e recetës elektronike po mendohet që edhe ilaçet të dërgohen përmes sms-ve! Kjo do të bëj të mundur që celularët e pacientëve të jenë të sigurtë nga viruset. Shqiptarët nuk i heqin celularët nga dora edhe në dush, — ndaj qeveria mendon seriozisht për gjendjen emocionale të banorëve të saj. Presidenti Trump kërkoi nga Departamenti Shëndetësisë të studiojnë me kujdes reformën shqiptare dhe brenda 90 ditësh të vijnë me një plan të detajuar për t’ia kaluar Kongresit.

Në përfundim të takimit presidenti Trump shkroi në tweet: “Shëndetësi falas për çdo amerikan. Pagesat parapagim. Suksese në jetë!”

12:00- 13: 00 Drekë me lobin shqiptar në SHBA. Fjala përshëndetëse nga Joseph Dioguardi.

13:00: — 14:00 Cështja: Ndryshime klimaterike. Pjesëmarrës: Departamenti Strehimit dhe Zhvillimi Urban.

Megjithëse Presidenti nuk beson tek teoria e ngrohjes globale, gjatë takimit u informua gjerësisht për përmbytjet e shpeshta në ultësirën perëndimore të Shqipërisë. Zyrtarë të Departamentit të Zhvillimit Urban thanë se ky problem tashmë mund të quhet i ezauruar me mbërritjen e një flote të madhe, të padëgjuar ndonjëherë prej 64 eskavatorësh që ka mbërritur në portin e Durrësit më datë 5 shkurt. Kryeministri Shqipërisë , që konsideroi rrezik zgjedhjen tuaj, ka dhënë garanci se kanalet kulluese nuk do të bllokohen më dhe për mëtepër këto kanale gjatë verës do të përdoren për vaditje. “Zero Përmbytje. Flota eskavatorëve- mund të ndihmojë edhe vendet e tjera. Bravo Shqipëria”- ishte tweet-i që u shpërnda për gazetarët pas takimit të mesditës.

14:00: 15:00 Çështja: Kontrolli armëve. Pjesëmarrës. Homeland Security, Departamenti Mbrojtes, Departamenti Drejtësië, Departamenti Veteranëve.

Zyrtarë të Departamentit të Sigurisë informuan Presidentin se në Shqipëri po dorëzohen në mënyrë vullnetare armët. Ku shkel këmba e ministrit të Rendit Saimir Tahiri, lihet ose një armë trofe e Luftës së Parë Botërore ose një kreher me fishekë të ndryshkur. Përfaqësues të Departamentit të Veteranëve, shprehën shqetësimin se po dorëzohen armët gjyshërve dhe jo ato të baballarëve. Si shembull u përmend qyteti Burrelit. Krimi vrasjes në Shqipëri është ende i lartë dhe mbi 1500 të burgosur janë në burg për krimin e vrasjes. Ende pa mbaruar takimi, presidenti Trump shkroi në twetter: “Njerëzit e këqinj e kanë vendin në burg. Gjykata duhet të mos tolerojë vrasësit. Armët vetëm kundër njerëzve të këqinj”.

15:00: 16:00 Reforma në Drejtësi. Të pranishëm zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë.

Presidenti Trump mbyllli ditën e punës duke diskutuar për reformën në Drejtësi në Shqipëri dhe për ligjin e dekriminalizimit. Këshilltarët e informuan Presidentin se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara në këtë drejtim. Si ilustrim u dha një takim i ministrit të Financave Arben Ahmetaj që pavarësisht se u shfaq në një takim elektoral me kryetarin e dorëhequr dhe të shkarkuar të Bashkisë së Kavajës, — u shpreh entuziast për vullnetin e hekurt të qeverisë dhe partisë në pushtet për të pastruar jo vetëm gjyqësorin, por edhe Kuvendin e ardhshëm. “Mesazhet dhe sinjalet tona janë të qarta dhe transparente për këdo.Do të shikojmë biografitë e kandidatëve deri tek pellazgët” — citohet të ketë thënë ministri shqiptar.

Në përfundim të ditës së punës, Presidenti Trump falenderoi kabinetin dhe këshilltarët për axhendën e ditës dhe la porosi që për ditët në vijim krahas Shqipërisë të shikonin mundësinë për të diskutuar problemet e shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Greqi, Itali dhe veçanërisht problemin që ka lindur mes Tiranës dhe Prishtinës pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA.

Ne kemi thënë: Amerika first në fushatë — u tha Presidenti Trump- këshilltarëve të tij, por sipas modelit kinez, problemet që janë rreshtuar si dytësore, janë më të rëndësishme se ato parësoret. Amerika First, Shqipëria second.

*Ky është një shkrim satirik i kolegut Lutfi Dervishi, rreth përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për ta bërë Donald Trumpin, president të Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje