Karmina shpjegon çfarë është varfëria dhe si luftohet ajo

9 Shkurt 2017, 20:22Antena TEMA

Pas debateve të mëdha që janë hapur në vend lidhur me varfërinë dhe mitingun e 18 shkurtit, Karmina vendosi të japë dhe ajo kontributin e saj, për t’u shpjeguar njerëzve se çfarë është varfëria.

Në një postim të saj, blogerja  e njohur shkruan:

“Të gjithë mendojnë se unë jam e pasur dhe burri im është i pasur, dhe si të tillë nuk e dimë çfarë është varfëria.

E keni gabim.

Jeta ime është më e thjeshtë se çfarë mendoni ju.

Ne jemi si gjithë njerëzit e tjerë, që kemi fatura dritash, uji dhe telefoni, po ashtu fatura interneti apo detyrime të tjera.

Herën e fundit, ndërsa po hanim darkë bashkë me mamin e Zenit, ajo më qortoi dhe mua për faturën e dritave.

-Këtë muaj keni harxhuar shumë drita, tha, nuk e kuptoj çfarë bëni në shtëpi, gatuani? Se sa ishte ajo tjetra më griu nga lekët e dritave, se bënte ëmbëlsira. Ti çfarë dreqin gatuan?

-Jo, i thashë unë, ne hamë jashtë zakonisht, tek një restorant francez. Nuk e di pse ka ardhur, ndoshta ngaqë lëmë kondicionerin ndezur. Por unë e di që kur s’ka njeri në shtëpi, kondicioneir nuk punon, se nuk ka kë të ngrohë.

-Ah po, tha ajo, prej atyre mund ta keni.

-Më fal, i thashë, nuk e përsëris më.

Dhe prej asaj dite jam shumë e kujdesshme.

Hamë çdo vakt jashtë, mëngjes, drekë, darkë, që të mos harxhojmë drita në shtëpi, dhe përdorim shpesh wireless në lokale që të mos harxhojmë internet shumë në shtëpi.

Sa për ujin, po ashtu e kemi shmangur, pasi shumicën e kohës ne udhëtojmë dhe nuk jemi në shtëpi.

I vetmi gabim ishte që linim kondicionerët ndezur.

Por dhe kur udhëtoj jashtë, kam parë plot njerëz të varfër.

Shikoj përshembull kur udhëtoj me avion në biznes klas, që njerëzit që udhëtojnë në klasin ekonomik, hanë më pak se ne.

Dhe kjo është e padrejtë.

Nuk e kuptoj përse nuk u japin sa ne që udhëtojmë në biznes klas. Ky është diskriminim.

Ose kam vënë re kur isha në Meksikë, se jashtë hotelit tonë, që ishte me shtatë yje, kishte njerëz që nuk kishin para të merrnin çadra dhe shtronin peshqirin në rërë dhe bënin plazh.

Dhe kjo është një gjë që më ka vrarë shumë shpirtërisht.

Në Shqipëri po ashtu ka njerëz të varfër.

Unë e di shumë mirë që ka, dhe bëj kujdes të mos i detyroj të blejnë në dyqanin tim, ku u duken çmimet shumë shtrenjtë.

Përshembull një ditë më pyeti një grua tironse, më tha:

-Sa lekë i ke një palë të brendshme?

-I thashë unë, 237 euro.

-Ua qyqja, tha, me aq blej 20 palë firmato tek tregu çam.

Më erdhi shumë keq në fakt, jo se nuk i bleu ato, por që i blen të brendshmet tek tregu çam, firmato fallco.

Por kjo është varfëria dhe s’ke çfarë të bësh.

Atë ditë mu mbushën sytë me lot dhe kur erdhi Zeni në darkë ja tregova.

Ai mu ul në gjunjë dhe mu betua:

-Një ditë do ta zhdukim varfërinë nga ky vend, më tha, por duhet të vijmë dhe një herë një pushtet.

U preka shumë dhe atë natë nuk kam fjetur nga gëzmi.”

2 komente në “Karmina shpjegon çfarë është varfëria dhe si luftohet ajo”

  1. Turi says:

    Hahaha ca te poshter jeni. Ja nxive mero. Ja nxive per zotin. Bobo ca u ke bere ti sja u ka bere njeri ketyre rasateve

  2. Aureli says:

    Hahahaha fantastiske

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje