Ditari i Megi Pjeshkës: Dialogjet me Flamurin gjatë natës në çadër dhe vizita e pensionistëve

28 Shkurt 2017, 19:00Antena TEMA

Ngjarjet e forta në çadër kanë bërë që të neglizhoj disa fjalë për Flamurin.

Nga gjithë deputetët dhe ish- ministrat e PD, ai është i vetmi që rri dhe gjatë natës në çadër.

Është i vetmi që nuk ka pretendime.

Ulen rrotull tij dhe disa ish- shefa komisariatesh dhe fillojnë kujtojnë kohët e tyre.

Nga tregimet e tyre ndjehet pendesa që e kanë toleruar dikur opozitën.

Njëri tregoi se si kishte rrahur njëherë Saimir Tahirin.

Tjetri që ngeli më keq tregoi si kishte rrahur Blendi Klosin dhe Shalsin me një të qëlluar në fushatë.

Pastaj ndërhyri një djalë nga Tropoja që kujdeset për postobllokun e çadrës dhe tregoi si ka rrah Edi Ramën.

Tregimet e tyre janë të pafundme dhe mbreslënëse.

Sot Flamuri po turfullonte.

-Çfarë ke shef Flamuri, i tha një nga ata ish- policët?

-Këta francezët janë b…q.., tha. Mirë që vijnë në Shqipëri dhe nuk vijnë tek çadra, por i thonë dhe Saimirit krimit, “homolog”. Demek duan të na dëshpërojnë, që dhe në Francë kështu është ministri i Brendshëm, i lidhur me krimin, “homolog” me Tahirin.

-Po si s’na the shef Flamuri, t’i kishim zënë rrugën në Rinas, tha një nga ish- policët.

-Pyeta Fatmir Mediun, tha Flamuri, më tha nuk ka rëndësi. Mos ja varni se kemi kongresmenët amerikanë në anën tonë.

-Edhe ai gjermani para disa ditëve “homolog” i tha, ndëhyri polici tjetër.

-E bëjnë kastile, duan të na dëshpërojnë, tha Flamuri.

Europa është bërë xheloze përse ne mbështesim presidentin Trump dhe po na kundërvihet. Por nuk e ka të gjatë.

-Shef Flamuri. A thua po rrëzohen para 18 qershorit, ta marrim dhe një herë, pyeti ish- polici?

-Ai burri e di atë punë, tha Flamuri. Derisa na thotë vazhdoni qëndresën, diçka din.

-Ty të lumtë goja, tha ish- polici dhe ndezi një cigare nga mërzitja.

Pastaj në çadër erdhën pensionistët, bashkë me Lulin.

-Ka një perceptim të gabuar, u tha Luli, sikur pensionistët në shumicë janë me PS dhe Edi Ramën. Në fakt forca e PD jeni ju, se jeni ju ata që 26 vite më parë i vutë gjoksin komunizmit dhe e rrëzuat, duke mbështetur PD.

-Ne jemi, ne, i tha një nga pensionistët. Kemi ardhur të shprehim mbështetjen tonë për ju dhe të na ndihmoni me ndonjë që ka shkollë këtu, që të na shpjegojë sa na zë pensioni nga 1 marsi, se thonë që na e ka rritur.

-Mos e merni pensionin, refuzojeni atë, injorojeni. U thoni fëmijëve tuaj, se derisa të jetë PS në pushtet, ju do t’i refuzoni ata. Ta marrin vesh njëherë e mirë, që ju nuk doni lëmoshë. Sa të vij unë në pushtet, do t’ua kompensoj dhe do t’ua dyfishoj.

-Të lumtë goja mor bir, i tha kryetari i delegacionit të pensionistëve. Lum kush të rrojë t’ia arrijë asaj dite, por ne zor se e arrijmë. Ndaj erdhëm për pensionin e marsit, mos dinit gjë, a na kanë gënjyer, a jo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje