INTERVISTA/ Rrëfimi i Gaz Demit, nga Albert Xhani e Moxhi, tek miqësitë me politikanët…

9 Maj 2017, 11:04Sport TEMA

Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, rrëfehet në një intervistë për “Sport Ekspres”, për të tashmen dhe të ardhmen e klubit kryeqytetas, dhe jo vetëm…

President, ju u afruat te Partizani në vitin 2014. Pse e bëtë një gjë të tillë? Thonë që ka të bëjë me një borxh të vjetër që ish-presidenti Xhani iu kishte?

DEMI: Vite më parë kam pasur një raport shumë miqësor me ish-presidentin e Partizanit, Albert Xhani. Ndjej keqardhje për mënyrën se si i shkuan gjërat me klubin. Nuk ka pasur shumë fat e në ndonjë rast e ka ekzagjeruar me mënyrën se si ka vepruar. Megjithatë, kam respekt për mënyrën se si ai e dorëzoi Partizanin. Diçka ka për atë që thoni ju, megjithatë dhe vetë kisha një lloj tundimi ta provoja veten në këtë lloj biznesi. Sigurisht që nuk jam penduar.

Çfarë doni të thoni me mënyrën se si e dorëzoi klubin?

DEMI: Kur unë e mora Partizanin dhe u bëra pronar i 100% të aksioneve, klubi nuk kishte borxhe. Gjëra të vogla, krejtësisht të papërfillshme. 99% për qind e lojtarëve ishin paguar, ose të paktën ishin evituar paditë nëpër gjyqe. Kjo ishte shumë e rëndësishme. Unë po e shoh çfarë po ndodh me Tiranën, për shembull, ku e shkuara e ka vënë administrimin e klubit në vështirësi. Kështu që për këtë gjë Xhani duhet përgëzuar. Skuadra vërtet kishte rënë dy kategori më poshtë, por të paktën nuk kishte borxhe nga e shkuara.

A ishit që në fillim kaq ambicioz për të fituar gjëra të mëdha?

DEMI:Shiko, fillimisht kisha një plan tjetër. Nuk doja të futesha “me kokë”. Objektiv kryesor ishte gjetja e një mundësie për ndërtimin e kompleksit. Mora vetëm stemën, nuk kishim as fushë stërvitjeje, as hotel, as stadium. Nuk kishim asgjë. Derisa të gjeja mënyrën të bëja këtë investim mendoja të mbaja një skuadër normale, të qëndronim në kategori ose të luanim për kupat e Europës. Por më pas filluam të bëjmë mirë dhe pata dhe unë një lloj entuziazmi. Sidomos euforia që krijohej nga ndeshjet derbi më bindën që dhe mund të bënim skuadër të mirë, me lojtarë të paguar.

Megjithatë, ende nuk është fituar asnjë trofe?

DEMI: Tre sezone kemi. Kemi qenë aty pranë gjithnjë. Vitin e shkuar e humbëm titullin javën e fundit, këtë vit shpresoj ta fitojmë.

Megjithatë, titulli im i vërtetë është përfundimi i kompleksit.

Si u bë marrëveshja me shtetin për kompleksin?

DEMI: Morëm vetëm përdorimin e tokës me një qira 99-vjeçare, me 1 euro metrin katrorë. Nuk kemi marrë fonde, do e ndërtojmë me paratë e shoqërisë aksionere.

Çfarë parashikon projekti?

DEMI: Disa fusha stërvitore me bar natyral dhe artificial, një hotel me 50 dhoma, një rezidencë me zyra, hapësirë e madhe për parkim të paktën për 300 vende, dhe një stadium 4 mijë vendesh ku ne të luajmë ndeshjet shtëpiake.

Në çfarë pike janë punimet?

DEMI: Janë ngritur si karabina. Mendoj se 50% e punimeve janë drejt përfundimit. Stadiumi sigurisht do ketë nevojë për pak më shumë kohë, sepse realisht do jetë më pas dhe arredimi i plotë, fushat, tribunat, ndriçimi.

Kur do luhet aty?

DEMI: Po mendojmë që në dhjetor skuadra të fillojë stërvitjen atje, më pas për stadiumin do flasim gjatë vitit të ardhshëm. Në shtator kur të nisë sezoni, të jem i sinqertë, nuk do jetë gati.

Çfarë vlere ka investimi?

DEMI: Nuk mund t’ua them dot me garanci. Por imagjinoni, vetëm fushat stërvitore dhe fusha e stadiumit, shkojnë 850 mijë euro. Më pas stadiumi nuk di të them sa shkon, por shpresoj që gjithë kompleksi të mbyllet me 4-5 milionë euro.

Po a nuk është një stadium i vogël?

DEMI: Në Tiranë do ndërtohet dhe stadiumi kombëtar. Ndeshjet ku kërkesa është më e lartë do luhen atje. Kërkesë-ofertë është e gjitha kjo. E rëndësishme është të kemi një shtëpi tonën, sepse kështu po vuajmë shumë dhe kemi shumë shpenzime me hotelerinë, udhëtimet, stërvitjet. Megjithatë, duket se skuadrës nuk i mungon asgjë. I kemi vënë një hotel në dispozicion, restorant, paguajmë fushat e stërvitjes. Besoj se kemi bërë një punë të mirë në këtë drejtim. Kemi ngritur zyrat tona dhe ndoshta kemi administratën e klubeve nga më të mirat në Shqipëri.

Sa janë shpenzimet e klubit, nëse nuk llogarisim rrogat e lojtarëve?

DEMI: Duke qenë se nuk kemi as stadium, i kemi shumë më të larta se klubet e tjera. Vetëm akomodim, ushqim, administratë, stërvitje, udhëtime, fondi i tifozëve etj shkon rreth 200 mijë euro në vit. Sidomos në muajt që luajtëm në Elbasan e ndjemë këtë shpenzim.

Tani që skuadra luan në kryeqytet, mund të jenë rritur goxha të ardhurat?

DEMI: Jo aq sa njerëzit mendojnë. Tregu ky është, nëse mendoni që klubi do mbahet nga tifozët të gjithë gabojnë. Ata duhen mbi të gjitha për atmosferë, sepse fundi për ata luhet futboll, po nuk është se ata sjellin aq shumë. Numri nuk është shumë i madh dhe bileta ka çmim të ulët. Megjithatë, nuk qahemi. Ja, për shembull, në ndeshjen kundër Vllaznisë luajtëm pas disa muajsh në Tiranë. Ju patë një stadium relativisht të mbushur, por nga raporti shpenzime-të ardhura atë ditë humbën rreth 1.9 milionë lekë të vjetra. Sigurisht, shumë më mirë se në Elbasan ku humbnim gati 5-6 milionë për ndeshje.

5 milionë lekë paguan për stadium dhe 3.1 milionë lekë u bënë nga biletat. Si ka mundësi kaq pak? Nën 18 vjeç dhe femrat hyjnë falas. Ka shumë nga kjo kategori në stadium. Megjithatë, ju jeni i kënaqur me tifozët?

DEMI: Në përgjithësi po. Klubi bën shumë për ta, udhëtimet, koreografitë, shpesh ulim çmimet e biletave. Por edhe ata kanë ardhur, na kanë mbështetur sidomos në ndeshjet derbi. Ndeshje ku edhe vlera financiare është diçka më e lartë Këtë radhë nga derbi me Tiranën, pasi bëmë gjithë pagesat, në fund fituam 19 milionë lekë të vjetra. Megjithatë, më duhet të insistoj se investimet dhe shpenzimet janë të mëdha dhe nuk mund të konceptohet dot në Shqipëri që të mbahet klubi me këto para.

Sezonin e shkuar u shpërblyet nga UEFA për fair-play financiar?

DEMI: Po sezonin e shkuar dolëm aty-aty financiarisht, sepse kishim 2 vite që dilnim me humbje. Kjo është gjë shumë e mirë, por mos harrojmë që morëm pjesën në Champions dhe kaluam tur, sepse në të kundërt nuk do arrihej kjo gjë. Megjithatë, dalëngadalë do i rritim të ardhurat tona.

Mund të ishte bërë më shumë punë me shitjet e lojtarëve?

DEMI: Kishim oferta këtë janar, por i bllokova unë, sepse mendova që mund të dalim kampion. Normalisht në verë do shesim dhe lojtarë. Fillimisht ka pasur një ide dhe për marketingun.

A po punohet në këtë drejtim?

DEMI: Ende jo, do t’i marrim gjërat me radhë. Me përfundimin e kompleksit do jemi më të qartë në këtë gjë.

Ndërkohë, akademia duket se po vazhdon të sjellë lojtarë në ekipin e parë.

DEMI: Akademia do ketë një tjetër organizim me ndërtimin e kompleksit, do jenë rreth 1 mijë fëmijë që do të stërviten atje. Për momentin e kam lënë si strukturë më vete, me vetadministrim. Pa fusha dhe pa kompleks s’mund të kërkoj shumë për akademinë.

Afrimi i Moxhit ka pasur shumë diskutime.

DEMI: Është bërë një marketing i mirë në lidhje me ne. Shumë media të huaja kanë shkruar. Deri nga Zanzibari më kanë dërguar SMS.

Çfarë do bëjë ai konkretisht?

DEMI: Do na ndihmojë më shumë nëse shkojmë larg në kupat e Europës. Me nuhatjen dhe njohjen që ka, mund të na ndihmojë në shitjen e lojtarëve.

Meqenëse jemi te lojtarët, Ekuban duket një yll që mund të largohet?

DEMI: Kam dëshirë ta mbaj dhe një vit tjetër te Partizani, jam duke diskutuar në lidhje me këtë gjë.

Ende nuk keni fituar asnjë trofe.

DEMI: Nuk jam i fiksuar pas kësaj gjëje. Sigurisht, skuadra duhet të luajë futboll deri në minutat e fundit dhe ta provojë, por nuk është kusht i imi personal një gjë e tillë. Titulli im është kompleksi dhe rritja e vlerës së klubit.

Çfarë ndodh me sponsorizimet?

DEMI: Kemi tentuar, madje dy vjet më parë kishim një kompani të madhe që na sponsorizonte. Edhe tani kemi disa sponsorë, megjithatë e thashë, pa ndërtuar kompleksin është e vështirë të bëjmë marketing. Ka të interesuar, por duhet të përfundojmë së qeni klub që të afrohen, le të themi, “peshqit e mëdhenj”.

Si funksionon Partizani?

DEMI: Vendimet e mëdha i marr unë, le të themi buxhetet, politikat e klubit, objektivat. Në natyrë e kam t’i hyj çdo gjëje për ta fituar dhe kështu kam bërë. Më pas për gjërat teknike, lojtarë, merkato, formacion etj., ju e dini që nuk merrem fare, është Starova me bashkëpunëtorët që merren me këto gjëra.

Cilat janë pretendimet e së ardhmes?

DEMI: E përsëris, ky klub, ky lloj biznesi do të marrë formë të plotë pasi të përfundojë kompleksi. Aty më pas do merremi seriozisht me akademinë dhe marketingun. Besoj do ia rritim shumë vlerën klubit, sepse pa asete është e vështirë të operosh në këtë drejtim. Kjo nuk ka të bëjë me rezultatet teknike, skuadra është e detyruar të bëjë mirë, ndërkohë që unë do merrem gjithnjë e më shumë që të bëhemi klub europian dhe të kemi sa më shumë bashkëpunime me kompani të huaja. …

Ndërkohë, Gazi vetë njihet si njeri pranë politikës.

DEMI: I kam miq të gjithë, ndonjëri thotë jam i majtë, po janë barcaleta. Nuk kam asnjë ambicie për t’u futur në politikë. Jam biznesmen, por sigurisht që politikanët i njoh, se kemi një jetë që jetojmë në këtë qytet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje