Ditari i Megi Pjeshkës: Debate në çadër për deklaratën e Lulit, se katolikët e veriut janë kriminelë

16 Maj 2017, 20:02Antena TEMA

Çadra duket se është në ditët e fundit të saj dhe sot Luli nuk na erdhi paradite.

Në vend të tij, ndërkohë që Luli ishte në kafe me Doktorin, erdhi Nardi me “Kaubojsin”, dy deputetë katolikë, që kërkuan të përgënjeshtrojnë akuzat që janë bërë në adresë të Lulit nga shumë katolikë.

Shkak është bërë një intervistë e Lulit , i cili duke sharë Edi Ramën se ka vendosur kriminelë në lista, ka thënë se 70 për qind e kriminelëve që ai ka vendosur, janë katolikë.

I pari e mori fjalën Nardi:

“Dua të sqaroj se sulmet ndaj Lulit janë të padrejta.

E them këtë si katolik.

Po qe se Luli do të kishte mendimin se katolikët e veriut janë kriminelë, ai nuk do më merrte mua në koalicion.

Fakti që ai më ka marrë mua në koalicion, do të thotë se ai ka respekt për katolikët e veriut dhe i do ata si unë, jo si kriminelët.”

Pas Nardit, e mori fjalën “Kaubojsi”:

“Duhet me e pa me kujdes fjalën e Lulit, tha ai.

Luli thotë se 70 për qind e këtyre kriminelëve janë katolikë nga veriu.

E ka fjalën për listën e Lezhës ku kam kenë dhe unë.

Kjo do të thotë që Luli është realist, pasi mu më ka përjashtu prej listës së kriminelëve.

Dhe jo vetëm më ka përjashtu, por më ka prit me nderime të veçanta në Qadër kur kam shkuar.

Kjo tregon që Luli ka vërtet problem me kriminelët katolikë, por jo me katolikët e ndershëm intelektualë dhe me vizion si unë.

Ndaj t’u jepen fund spekulimeve.

Unë jam pasardhës i Gjergj Fishtës e Dom Nikoll Kaçorit, jo atyre kriminelëve që ka vënë Edi Rama.”

Pas tyre në çadër u shfaq Dash Shehi.

-Na thuj dhe ti një opinion, i thashë unë, për këtë deklaratën e Lulit për katolikët.

Ja sa folën “Kaubojsi” dhe Nardi.

-Lene moj Lulin ti gocë, se Luli nuk mba përgjegjësi ça thotë, po për një gjë i jap të drejtw.

Me e ditë Papa Fraçesku që katolikët po i mbron Nardi me “Kaubojsin”, konvertohet në mysliman brenda ditës.

-Po ti si e kupton deklaratën e Bashës që 70 për qind e kriminelëve janë katolikë nga veriu, ju drejtova deputetit Ruli.

-Kjo do të thotë, se sipas Bashës, jo të gjithë kriminelët janë katolikë, por ama të gjithë katolikët janë kriminelë, tha Ruli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje