Sot në çadër diskutuam gjatë se sa e mirë ka qenë paketa “McAllister” dhe se si ne nuk e morëm vesh kur na e propozoi.
Nga gjithë debatet që u bën në çadër, rezultoi se armiku kryesor ka qenë Majlinda Bregu, e cila na e ka mbajtur fshehur dhe na ka dizinformuar.
Për këtë pati shumë debate në çadër.
I pari e mori fjalën Filozofi i çadrës.
“Paketa ‘McAllister’ është një shans për gjithë PD dhe veçanërisht për Lulzim Bashën,- tha ai. Problemi i Lulzim Bashës është se atë e futi në konfuzion Majlinda Bregu. Kur McAllisteri i propzoi Bashës paketën, ai nuk e hapi fare, por shkoi në fund të sallës dhe i bëri telefon Doktorit.
-Më ka sjellë një paketë nga Brukseli ky burri,- i tha.
-Mos e hap,- i tha Doktori,- se është e Majlinda Bregut. Është tradhëti.
Atëhere Luli u kthye dhe i tha: “Nuk kemi një marrëveshje”. Kështu oferta u hodh poshtë.
Për ta bërë më të besueshme që ishte paketë e saj, Majlinda kërkoi mbledhje të Grupit Parlamentar dhe denoncoi Lulin, si njeri që hodhi poshtë Marrëveshjen “McAllister”. Kjo i bindi të gjithë, përfshi dhe mua, që kjo paketë është tradhëti ndaj PD. Dhe kërkova që Majlinda të përjashtohet nga PD, bashkë me Jozin, Selamin, etj., që flasin pro paketës. Për këtë më falenderoi dhe Luli.
Por çfarë ndodhi?
Një ditë unë po luaja në kompjuterin e Lulit, kur pashë një folder të thoshtë “Paketa McAllister”.
E pyeta Lulin çfarë është ajo?.
-Është ai dokumenti atij gjermanit,- më tha, po nuk e kam lexuar.
I hodha një sy. U mahnita. Ai ishte tërësisht pro Lulit.
-Çfarë paske bërë,- i thashë. Si ke marrë mendtë e Muç Nanos dhe Bushatit dhe ke refuzuar këtë paketë. Po kjo është kryevepër.
Ai më pa i çuditur.
-Vërtet mendon kështu,- më tha?
-Patjetër,- i thashë. Këtë duhet ta pranojmë menjëherë.
-Po ne kemi luftuar për Republikën e Re,- më tha ai.
-Caktojmë këtë si “Republikë të Re”,- i thashë. Majlinda Bregu qenka gjarpër. Ta paska fshehur paketën duke të thënë pranoje pa e lexuar. Ka dashur që mos ta lexosh. Duhet ta përjashtojmë nga PD”.
Diskutimi i Filozofit të çadrës zgjoi shumë debate.
Deputetja seksi e Peqinit kërkoi fjalën.
-E dija që Majlinda Bregu ia kishte me hile PD,- tha. Na paska fshehur gjënë më të mirë të këtij McAllister. Të përjashtohet! Qenka femër e pangopur.
-E dija që kishte një hile,- ndërhyri analisti Qim Peka. Se dhe mua më keqinformoi ajo eurodeputetja. Më tha që ky McAllsier është dashnor i Merkelit dhe ky Yee është i paaftë se nuk qullosi gjë në Maqedoni. Bile më nxiti të bëja dhe status në Facebook kundër tij. Tani që e pashë që e zgjidhi dhe Maqedoninë dhe Kosovën jam i qartë që dhe McAllisteri, paska qenë me ne, por kjo na ka gënjyer.
Duartroktije në çadër.
Pastaj shoku im nga Laçi shkruajti shpejt e shpejt një pankartë dhe e vendosi në krye të çadrës ku shkruhej:
“I dashur McAllister! Na fal se vollëm pa dashje vrer”!