Sot është dita e fundit e çadrës.
Dje para se Luli të nisej për bisedime, në çadër mbërriti Strazo dhe mbajti fjalimin e tij të fortë.
Ai tha se “SHBA dhe BE kërkojnë të na gjunjëzojnë, por ne do qëndrojmë në këmbë”.
Pastaj vazhduan me radhë deputetja seksi e Cërrikut, Filozofi i çadrës etj.
Por në mesnatë Luli erdhi të na takonte i qetë.
Pas tij pamë Edi Ramën dhe filluam të thërrasim të gjithë “Rama ik”, “Rama ik…”.
Luli na e bëri me dorë.
-Mos u nxitoni, tha. S’ka pse ikën ai. E kemi kryeministër të “Republikës së Re”.
Një moment u hutuam, pastaj duartrokitëm përsëri.
Sot dita në çadër ishte festë.
Shoku im nga Laçi shpreson të bëhet drejtor burgjesh, kurse unë drejtoreshë e AZHBR.
Po fluturonim nga gëzimi, pasi nuk e kuptonim se kush ishte magjia e këtij suksesi.
Ndërkohë, në çadër u shfaq deputeti Ruli.
-Kam ardhur t’u përshëndes, tha, si dita e fundit e çadrës. Qëndresa juaj ja vlejti, tani do shpërbleheni.
-Kjo ishte fitore e madhe, i thashë unë, por na erdhi papritur dhe nuk jemi mësuar ende. Si mendoni që ndodhi?
-E di atë historinë kur djali i mbretit donte të martohej me vajzën e arixhiut që jetonte në çadër, tha Ruli?
Ja ta tregoj unë.
Djali i mbretit kishte rënë në dashuri me vajzën e arixhiut. Dhe shkon i thotë mbretit.
-Babë dua të martohem me vajzën e arixhiut që jeton në çadër.
-Na turpërove bir, i tha mbreti. Si të martohesh ti me atë! Si do fusim në pallat vajzën e atij që fle në çadër.
-Atë dua dhe pikë, tha djali. Ndryshe vras veten.
Atëhere mbreti ngarkon mëkëmbësin e vet dhe shkon i kërkon dorën arixhiut.
-Kam ardhur të kërkoj dorën për djalin e mbretit, i tha.
-Nuk pranoj, tha arixhiu.
-Do të jap gjysmën e pasurisë, i tha mëkëmbësi.
-Nuk pranoj, i tha arixhiu.
-Do të bëjmë dhe ty pjesë të Oborrit, i tha.
-Nuk pranoj, tha arixhiu.
Mëkëmbësi u kthye i dëshpëruar tek mbreti dhe i shpjegoi se dështoi.
Atëhere mbreti ngarkoi kryeministrin.
Edhe atij ju përsërit e njëjta skenë.
Arixhu në çadër nuk pranonte asnjë ofertë nga mbreti i sjellshëm dhe me edukatë.
Kjo e mërziti shumë mbretin, pasi turpi më i madh ishte që nuk e pranonte arixhiu.
E shikon një roje e tij dhe e pyet pse ishte mërzitur?
Mbreti i shpjegon hallin me vajzën e arixhiut.
-E zgjidh unë, tha roja. Më jepni një kalë.
Pas pak roja arrin tek çadra e arixhiut, i bie me shpatë, e çan, e tërheq zvarrë, derisa e prishi.
Pastaj nxorri kamzhikun dhe i hyri arixhiut.
-Aman ç’të kam bërë, i tha arixhiu, që po më vret?
-Ku e ke vajzën, se më duhet për djalin e mbretit?
-Merre aty e ke, i tha arixhiu.
-Po pse nuk ua ke dhënë të tjerëve që të janë lutur, i tha roja?
-Po ata nuk dinin ta kërkonin, i tha arixhiu. Ti e kërkove, tamam si duhet!
Kjo është pak a shumë dhe historia e çadrës, tha Ruli.
Erdhi McAllisteri e kërkoi me edukatë si i madhi i Europës nuk ja dhamë.
Erdhi Gabrieli si mëkëmbës i Merkelit, nuk ja dhamë.
Erdhi Hahn e kërkoi me educate, nuk ja dhamë.
Erdhi ky Hoyt nga SHBA, dhe dinte si ta kërkonte.
Ja dhamë këtij.
Nuk e di kush e mban gjalle kete rubrike ,por eshte gazetar ,shkrimtar qe nje ne imtesi idiotlliqet e politikaneve ,hallall.