"Kaubojsi" përgatit dekoratat për koalicionin e çadrës

21 Maj 2017, 18:24Antena TEMA

Tani është bërë publike nisma e deputetit “kaubojs”, për fushatën e tij elektorale. Fushata do të bazohet tek dhënia e titullit “kaubojs” për njerëzit me merita të veçanta në fushatën e tij.

Dje ai vlerësoi  me titullin “Kaubojs”, z. Ndue Simonaj, N/Kryetarin e Forumit Rinor për kontributin e vazhdueshëm në përfaqësimin dinjitoz të partisë, në punën e palodhshme të ngritjes së strukturave dhe për punën e palodhshme për rritjen e forcimin e strukturave në terren.

Në shenjë mirënjohjeje kryetari Ndocaj, për punën e bërë i dhuron medaljen “Trump” të Lirisë si dhe një telefon celular.

Këtë nismë do ta vazhdojë dhe me koalicionin opozitar të çadrës.

Për këtë ka përgatitur disa dekorata surprizë.

Lulzim Basha do të dekorohet me titullin “Kaubojs i Lirisë”. Në motiviacionin që shoqëron dekoratën thuhet se ai qëndroi sypatrembur për tre orë resht në takim me Edi Ramën dhe nuk mori në telefon Doktorin. Kjo është një dëshmi që ai fitoi lirinë nga çadra.

Fatmir Mediu fiton titullin “Kaubojs i fluturimeve”, për shkak të meritave të tij të veçanta që gjatë periudhës tre mujore të çadrës, ka udhëtuar dhjetë herë drejt SHBA, për të mundësuar një takim të Bashës me administratën e Trump-it. Edhe pse nuk ia arriti, ai e bëri punën e vet. Përveç medaljes ka dhe një bilete falas për Dallas.

Agron Duka me titullin “Kaubojs besnik”, për shkak të meritave që ai pati për të mos tradhëtuar edhe pse ndryshe nga të tjerët partinë e tij e ka blerë me lekë.

Vangjel Dule merr titullin “Kaubojs patriot”, me motivacionin që ishte duke rrezikuar të zhdukte grekët nga përfaqësimi në Parlament, në shërbim të kombit dhe nacionalzimit shqiptar. Medalja shoqërohet me një flamur “Autoctonis” që tronditi stadiumin e Beogradit.

Dashamir Shehin e shmanga nga dekorimi, pasi ka bërë ironi me zgjedhjen time deputet. Duhet të reflektojë dhe do ta shikoj vitin tjetër. Në vend të tij do të jap një dekoratë për Kaç Islamin. Kaç Islami dekorohet me titullin “Kaubojsi Gri”. Ky titull i jepet pasi PD e ka quajtur dikur Kaç i Zi, kurse tani e quan Kaç i Bardhë. Meqë jemi para një koalicioni të ri PS-PD, atëhere ai meriton të quhet “Kaubojsi gri”. Përveç medaljes atij do t’i dhurohet dhe një palë tespihje nëse nuk hyn në listën e PD.

Në fund të fushatës, në varësi të rezultateve, “Kaubojsi” po përgatitet të botojë një libër mbi përvojën e tij elektorale. Për promovimin e librit do konsultohet me Fevzon, me shpresë se do të arrijë tirazhin e tij, ose së paku të Blushit.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje