Dënimi i UEFA-s, reagon Takaj: Na lavdëruan për masat e marra, vendim shumë i ekzagjeruar

29 Tetor 2017, 11:44Sport TEMA

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka folur në një prononcim për “Panorama Sport”, pas ndeshjes së djeshme, në lidhje me dënimin e UEFA-s me 60 mijë euro gjobë dhe një ndeshje pa tifozë, për shkak të thirrjeve raciste në takimin ndaj Partizanit të Beogradit.

“Të them të drejtën, dënimi është shumë i rëndë. Kishim përgatitur gjithçka në perfeksion për atë takim dhe na erdhi mirë kur morëm vlerësimin maksimal nga ana e oficerëve të UEFA-s. Gjithashtu morëm edhe urimet më të mira nga delegacioni dhe presidenca e ekipit të Partizanit të Beogradit. Fjalët e tyre ishin shumë pozitive dhe kanë folur me superlativa për pritjen që u kemi bërë. Nuk e di, por m’u duk si vendim shumë i ekzagjeruar.

Ne po presim vendimin e argumentuar, të shohim arsyet e dënimit dhe do të shohim se si do të shkojë. Për t’u kthyer te futbolli i luajtur, ndeshja e radhës ndaj Partizanit të Beogradit është një takim që  kërkon impenjim të madh. Do të shkojmë atje të qetë dhe pse jo të marrim një rezultat pozitiv”, u shpreh Takaj.

FITORJA – Duke folur për fitoren e djeshme ndaj Luftëtarit, presidenti shprehet se trepikëshi sjell më shumë optimizëm në skuadër për ndeshjet e radhës. “Vijimësia e rezultateve të mira edhe në kampionat i bën mirë ekipit, nuk diskutohet. Sjell entuziazëm dhe mban moralin lart. Ishte një fitore e rëndë- sishme, që do të na ndihmojë edhe për ndeshjen e radhës në Europë.

Sigurisht që ai dënim ishte i rëndë për ne. E vështirëson objektivin tonë, pasi ndeshjet brenda kanë një armë që quhet tifozëri dhe kjo i bën mirë çdo ekipi. Megjithatë, ai është një vendim i UEFA-s dhe sado të flasim ne, mbetet i tillë dhe nuk e ndryshojmë dot”, ka mbyllur Takaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje