Skënderbeu vijon të bindë në lojë dhe rezultate, duke qenë skuadra për t’u mundur, pavarësisht se kampionia në fuqi është Kukësi.
Megjithatë, duhet bërë kujdes, pasi është mbyllur vetëm faza e parë dhe deri në mbyllje të kampionatit janë ende 27 ndeshje për t’u luajtur. Po të krahasosh ecurinë e skuadrave në këtë fazë të parë me sezonin e kaluar, vërehen ndryshime të mëdha.
Renditja tregon se korcarët janë sërish në krye, por, ndryshe nga vjet, kanë 5 pikë më shumë dhe nuk njohin asnjë humbje. Ndryshimi më i madh në klasifikim ka të bëjë me Partizanin, që vjet ishte në vendin e dytë, 2 pikë larg Skënderbeut, me 18 pikë, ndërsa aktualisht është në vendin e 6-të me 11 pikë dhe shumë larg kreut.
Kukësi është një pozicion më lart se një vit më parë dhe gjithashtu një pikë më shumë, por diferenca me vendin e parë është 7 pikë. Përmirësim të ndjeshëm ka Flamurtari, që, aktualisht, është në vendin e 3-të me 16 pikë, duke qenë dy pozicione më lart sesa vjet dhe 7 pikë më shumë.
Laci ka sot 4 pikë më shumë sesa një vit më parë në përfundim të fazës së pare, ndërsa Teuta është në po të njëjtin pozicion dhe me të njëjtat pikë. Rënie ka Vllaznia, që gjendet në vendin e 9-të me 6 pikë në përfundim të 9 javëve të para, ndërsa vjet ishte në vendin e 4-t me 13 pikë.
Nuk ka ndryshime të mëdha për Luftëtarin, që vjet kishte grumbulluar 9 pikë dhe gjendej në vendin 6-të, ndërsa këtë edicion e mbyll fazën e parë në vendin e 8-të me 8 pikë./SS/