Presidenti i Olimpiakosit, Evangelos Marianakis, ka dhënë dorëheqjen pas akuzave të ngritura kundër tij për manipulimin e ndeshjeve në sezonet e kaluara në Greqi. Marianakis u paraqit sot para Gjykatës së Apelit në Athinë, ku ndaj tij dhe 28 personave të tjerë u lexua akuza për manipulim të ndeshjeve të kampionatit grek, në një çështje të hapur që në vitin 2015.
Me një njoftim zyrtar në faqen e klubit, ai bëri të ditur se do të tërhiqej nga detyra derisa të pastrohej imazhi i tij, edhe pse seancat gjyqësore pritet të fillojnë vetëm gjatë vitit 2018.
“Jam i bindur rreth pafajësisë time dhe mendoj se seancat e mbetura gjyqësore do ta tregojnë duke bërë që të bien të gjitha akuzat ndaj meje”, shkruhej ne mesazhin e tij, ku i kërkohej kryetarit të bashkisë së Pireut që të merrte përsipër drejtimin e klubit deri në kthimin e tij në detyrë.
Dorëheqja në fakt ishte një akt i detyrueshëm, pasi ligjet greke parashikojnë që në raste të tilla, ai nuk mund të kryejë asnjë funksion në asnjë shoqatë sportive, deri në përfundim të gjyqit. Akuzat e para ndaj Marianakis përfshinin edhe mashtrimin, shantazhin si dhe krijimin e një organziate kriminale, por ai u shpall i pafajshëm në këtë rast. Ai u akuzua, përsëri pa u dënuar, për vendosjen e një bombe në furrën e bukës që ishte në pronësi të një gjyqtari futbolli.