Tritani ka qenë dje i dëshpëruar. Pas lajmeve nga Kreta se bisedimet shqiptaro-greke po shkonin mirë dhe po riprekeshin gjithë temat e mbetura pezull mes dy vendeve, përfshi dhe kufirin detar, u ul e i shkroi një letër Qirjakos, vëllait të Dorës, që tani drejton Partinë Neodemokracia.
“I dashur Qirjako!
Po të shkruaj në vend të Dorës, shoqes së Lulit që kanë nënshkruar marrëveshjen për “detin”. Kjo që po ndodh në Kretë është e patolerueshme. Një kalama nga Tirana bir komunisti, dhe një komunist grek janë ulur e duan të zhbëjnë historinë tonë. Marrëveshja e nënshkruar nga Dora dhe Luli, nën patronazhin e Doktorit, ka vulosur miqësinë mes nesh dhe nuk duhet lejuar që dy axhamij ta rinisin nga e para këtë histori.
Pas konsultimeve me Lulin dhe Doktorin kam disa sugjerime për ty si opozitar në Greqi që të bashkërendojmë punën tonë.
E para të denoncosh “Samitin e Kretës” si tradhëti ndaj çështjes greke. Asnjë ministër i jashtëm grek nuk ka të drejtë të rihapë çështje të mbyllura.
E dyta ju si parti të denonconi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë si të blerë me lekët e lejeve të ndërtimit të Edi Ramës i cili donte që të mbronte “Detin” në Sarandë, pasi kishte bërë buzë detit hotelin, “Esokbari i Ballkanit”. Faktet i ke tek “qytetari digital”.
E treta të bashkërendojmë punën mes dy partive me qëllim që vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri të denoncohet në Bruksel si vendim i marrë nga gjykatat e korruptuara shqiptare.
Unë jam së fundi deputet i Qarkut të Gjirokastrës, por që shumicën e votave i kam marrë në Lazarat. Sikundër e dini, ata janë një bastion i fortë i opozitës dhe ata janë të shqetësuar që qeveria shqiptare kërkon ta largojë kufirin nga bregu. Ata mendojnë se sa më afër me bregun, aq më kollaj e kalojnë me skaf kur duan të çojnë ndonjë ngarkesë në Greqi .
E fundit që dua të them ka të bëjë me me aspektin familjar. Unë e kam njohur babain tënd dhe ti dhe Dora keni qenë të rinj kur e kam takuar. Tani që babi nuk është më, ti je burri i madh i familjes dhe nuk duhet të lejosh të hidhet poshtë puna e motrës tënde.
I yti Tritani (Titanis e kam pas emrin në vegjëli, por regjimi komunist i Enver Hoxhës ma bëri Tritan)!”