Titanis sulmon ashpër Bushatin: Na turpërove para vëllezërve grekë

13 Nëntor 2017, 19:46Antena TEMA

Pas letrës për opozitën greke, e cila reagoi menjeherë pas kërkesës së Titanis, që ajo të sulmojë qeverinë greke se po i lëshon udhë Shqipërisë, Titanis ka bërë sot një letër të hapur kundër Bushatit, që ka turpëruar Shqipërinë në Kretë.

Ja se çfarë shkruan Titanis:

“Zoti ministër Bushati.

Ajo që ndodhi në Kretë është një turp i madh për Shqipërinë, për ty, për Partinë Socialiste dhe gjithë ju që qeverisni.

Të pashë me zemër të ngrirë, kur nise të kërceje Zorbën në ishullin e Kretës.

Paraqitje jote ishte skandaloze.

Fillimisht kur i lidhe krahët me Kotziasin, bëre gabim fatal.

Në fillim lidhet krahu me atë që ke nga e djathta, përdridhet poshtë tij dhe i hidhet mbi sup.

Ti e mbaji mbi krahun e tij.

Kjo është skandaloze dhe fyese për grekë.

Nuk duhet ta bëje kurrë.

Edhe kur kryqëzove krahun e majtë, në vend ta vendosje mbi supin e tij,  i re shkurt dhe ja vure tek beli.

Kjo është dhe më skandaloze, pasi tregon nënvleftësim për vallen himn të Greqisë.

Pastaj nisi vallja.

Aty ishte skandali më i madh.

Zorba ka tre hapa djathtas, pastaj dy herë kryqëzime këmbësh, tre hapa majtash, rrotullohesh dhe duhet të kryqëzosh prapë krahët me shpejtësi dhe të bësh pesë hapa djathtas.

Nga kjo fiton dy kohë në ecje.

Fakti që ti nuk dije ta bëje, por të udhëhiqte valltari grek, në këtë rasti zoti Kotzias, është një turp i madh për Shqipërinë.

Si guxon ti të shkosh e t’i kërkosh tjetrit detin, piramidat, ligjin e luftës, dhe nuk di të kërcesh vallen greke!

Pastaj erdhi radha e këngëve dhe ti nuk dije të këndoje.

Ata morën këngën “Qaj Minushi, qaj Resul aga” në greqisht që e ka kënduar Irenë Papas, kurse ti belbëzoje shqip dhe thoshe e kemi dhe në shqip.

Ç’është kjo fyerje?

Edhe këngën do t’u marrësh atyre?

Si guxon ti të prishësh një klimë miqësie dhe të mos mësosh në greqisht qoftë dhe një këngë.

Nuk dua të flas pastaj për bisedimet.

Ti ke turpëruar aty shtetin shqiptar, dhe i ke humbur atij seriozitetin.

Burrat e shtetit kur e vendosin një gjë, e vendosin.

Marrëveshjen e detit e kemi vendosur një herë.

Përpjekja jote për t’i rihapur bisedimet është fyerje për shtetin tonë.

Inati dhe verbëria ndaj Doktor Berishës u ka errur sytë dhe ju doni me çdo kusht të turpëroni Shqipërinë duke e paraqitur si një vend primitive, që askush nuk respekton historinë dhe shtetin e saj.

Po të paralajmëroj që sa të vish në Shqipëri, do të kesh interpelancë dhe do të japësh llogari për gjithë këto.

Një turp të tillë Shqipërisë nuk ja ka bërë asnjë ministër.”

2 komente në “Titanis sulmon ashpër Bushatin: Na turpërove para vëllezërve grekë”

  1. Vjosani says:

    Hahahah, bravo, shkrim i bukur!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje