Jari është shfaqur publikisht ditët e fundit dhe ka bërë thirrje për përmbysje të qeverisë.
Zakonisht presidentët nuk bëjnë kështu gjërash, por Jarit nuk i vihet re, se nuk ja kemi marrë për ters, as kur thoshte që “jam president”.
Më poshtë janë disa nga arsyet që Jari ka renditur, përse duhet përmbysur qeveria.
E para, kur ishte Jari president, Edi Rama e uli buxhetin e Presidencës, dhe i shkurtoi shpenzimet për parukieren, shoferin dhe masazhatoren.
Këto shpenzime Ilir Metës jo vetëm që ja njohu, por i ka rritur buxhetin me 40 për qind.
Dhe duke arsyetuar që Jari ishte më i varfër se Meta, kjo konsiderohet prej tij skandal i madh.
E dyta, kur Jari ishte president, Edi Rama e ka marrë një ditë në telefon dhe e ka sharrë.
Këtë e ka pranuar publikisht.
Ndërsa Ilir Metën nuk e ka sharrë kurrë në telefon, përkundrazi, dhe në televizor e lavdëron atë dhe shan Monikën.
Dhe kjo nuk durohet.
E treta, të gjithë ish- presidentët kanë marrë nga një zyrë, një makinë dhe një sekretare.
Jarit po ja zvarritin, dhe i kanë ofruar një zyrë në një pallat pa ashensor, që ai nuk ngjitet dot.
Kjo nuk duhet të tolerohet.
E katërta, Jari kur ishte president nuk kishte Facebook, se i kishin thënë nuk është serioze të publikosh gjëra në Facebook, kurse Ilir Metën, qeveria e ka lejuar të rrijë gjithë ditën ne Facebook dhe të publikojë dhe foto me Fahron dhe Qim Pekën.
Kjo ka bërë që Jari të mos i ketë të dokumentuara momentet e rralla dhe të mezipritura, kur i takonte dhe ai këto dy personalitete.
E pesta, Qeveria e ka rritur moshën e pensionit për burra në 67 vjeç, ndërsa Jari është 51 vjeç.
Sipas tij, qeveria e ka rritur me qëllim moshën e pensionit, që Jari të rrijë pesëmbëdhjetë vjet pa punë.
Ky është diskriminim, pasi do t’i thonë që jeton me paratë e gruas.
Për gjithë këto arsye, Jari ka bërë thirrje për përmbysje të qeverisë më 27 janar.
Ai ka theksuar se më 27 janar, o Luli, o Edi duhet të ikin.
Të paktën t’i hapet një vend pune.