I dashur Kleves.
Lexova intervistën tënde dhe dua të të sqaroj për disa keqkuptime të rënda që ke me veten, me Lulin, dhe politikën.
E para gjë që u binda kur lexova, është se po të gënjesh ke sukses, ngaqë ke dëgjuar Ilir Metën që thotë se këtë gjë e bën Luli.
Jo çdo gënjeshtar ka sukses.
Duhet të jesh me fat të të eci gjithë jeta duke gënjyer.
Lulit nuk i ka ecur vetëm nga gënjeshtrat. Ka bërë dhe gjëra të tjera.
E dyta, ideja jote fikse qenka se meqë Luli e ka nis karrierën si kamarier në politikë, duhet që dhe ti të kesh qenë kamarier.
E vërteta është se ti nuk ke qenë kamarier, por ke ngrënë drekë kur ishe 16 vjeç, me babin tek “Piaca”.
Dhe kur ha drekë me babin dhe ai të thotë përshembull, “ma jep pak gotën”, ose “ma jep pecetën”, ti nuk quhesh kamarier.
Quhesh klient që ha drekë me dikë tjetër.
E treat, ajo skena që tregon me Doktorin, nuk ka shanse të ndodhë.
Në atë kohë që ti thua se ke ngatërruar zyrën në PD dhe ke shkuar tek Doktori, babai jotë rrinte një javë para PD-së ta shikonte Doktorin kur dilte nga zyra e t’ia bënte me dorë, dhe nuk ja arrinte dot.
Pastaj dhe nëse i kishe ikur rojes në kat të parë, për të hyrë tek zyrë e Doktorit, kishte shumë roje të tjera, dhe nuk hyje dot.
Dhe sikur të të thërriste Doktori, do kishe pak punë të hyje.
Nuk është ndonjë gjë e madhe që gënjen për këtë, por kur ta lexojë Doktori, do thotë me vete, “ky qenka mashtrues budalla”, dhe nuk bën.
E katërta, që ka shumë rëndësi, është shkollimi yt i gjymtuar.
Përveçse nuk ke një diplomë të rankuar, ti thjesht ke kryer studime që i ke zgjatur aq shumë, sa tani duhet të kishe mbaruar dhe Doktoraturën, ndërkohë që ke një bachelor, pa një diplomë të rankuar.
Kjo nuk është fundi i botës, por kur e tregon vetë është pak problem, se është sikur të ngacmosh folenë e grenzave.
E pesta, është fakti që ti u bërë deputet me forcat e tua.
Ti ndoshta ashtu e di, dhe kjo është çështje inteligjence, por duhet t’ia dish për nder babait që la jashtë liste gjysmën e PD-së, vetëm të futeshe ti si konsensual mes PD e LSI.
Dhe nuk të kishin parasysh ty kur të futën në listë, por kontributin e babit, që natën çonte Lulin tek LSI dhe ditën e kthente prapë në çadër, duke i thënë “vazhdo se kemi LSI pas”.
Kjo nuk është ndonjë gjë e madh se e thua, por ia heq vlerën marrëveshjes PD-LSI, pasi ti je e vetmja pikë që ranë dakord para zgjedhjeve.
Dhe e fundit, mos e dëgjo babin tënd për një gjë, kur të thotë dil vazhdimisht në TV dhe gazeta “pavarësisht se çfarë thua, se me rëndësi është të dalësh”.
Në rastin tend, ka shumë rëndësi të mos dalësh fare.
Ashtu do biesh në sy më pak për keq.
Se edhe intervistat, sikurse librat, bëhen para se të botohen.