Më në fund Kunati e gjeti slloganin e protestës.
Bëhet fjalë për këngën e famshme të John Lennon, “War is over, if you want it” (“Lufta mbaron po të duash ti”).
Përzgjedhjen e këngës e bëri Strazo.
Ai gërmoi në këngët e vjetra të viteve ’70, që përket me moshën e rinisë së Doktorit, dhe gjeti këtë këngë.
-E gjeta, i tha Lulit. Kjo do t’i pëlqejë Doktorit, se është kënduar fiks në kohën kur ai ishte i ri.
-E sigurtë, tha Luli? Se ai sa ishte bërë komunist atëhere, dhe ndoshta nuk i dëgjonte këto.
-Këtë e ka dëgjuar, se ishte kundër luftës së SHBA në Vietnam. Ne ishim me Vietnamin atëhere.
-Ah, po, tha Luli, pa u menduar gjatë.
Pastaj thirri Kunatin dhe i tha ta testonte këngën tek shumë njerëz, përfshi dhe kritikët e tij, dhe t’i sillte një opinion.
Kunati mori këngën dhe në fillim ua tregoi vajzave të kompanisë së tij të marketingut.
Ato mblodhën buzët, por nuk folën.
-Çfarë s’u pëlqen dhe çfarë u pëlqen, pyeti Kunati?
-Na pëlqen që ka të bëjë me mbarimin e luftës, tha Odeta, por është e vjetër shumë.
-Po bërthama e demokratëve që vijnë në miting janë rinia e viteve ‘70, tha Kunati. Duam t’i bëjmë nostalgjik ata.
-Kështu po, tha Odeta, shkon.
Pastaj thirri njerëzit e Kryesisë.
Ua vendosi ta dëgjonin dhe ata.
-E mirë është, po stil i vjetër, thanë dhe ata.
-I pëlqen shumë Doktorit, tha Kunati.
Aty mbaruan debatet.
Pastaj shkoi tek “Korpusi Azem Hajdari”.
-Nuk ban, i thanë ata. Ne kemi këngën për Azemin.
-Është shumë e egër, tha Kunati. Ndjell luftë. Ne jemi për paqe.
Djemtë e panë të çuditur.
-Po ne kemi bërë gati çunat për miting, qenkemi lodh kot, tha një prej tyre.
-Jo, s’ka problem, ata le të jenë gati, por duhet këngë paqësore.
-Le se do ketë ndonjë pallat tjetër ky dhe ka frikë se ja prish Rama, tha njëri me zë të ulët.
Më në fund vendosi të pyesë dhe ish- deputetin Ruli, si një tirons që ka dëgjuar muzikë në vitet ‘70.
Ruli sa e dëgjoi, u ngjall i tëri.
-Shumë fine është si zgjedhje, tha. I përshtatet tamam situatës ku ndodhet Luli pas marrjes së parave për pallatin e parë.
Vetëm se ka një problem të vogël, duket si i mërzitur.
-Çfarë problemi, tha Kunati?
-Duket sikur Luli ka dhe një pallat tjetër dhe i lutet Ramës t’ia prishë. U mësua keq me këto lekët.