Kunati ka thirrur sot me urgjencë një konsultë, pas largimit të Haki Çakos nga detyra.
Edhe pse ishte i paqartë nëse ai ishte larguar vetë, apo e kishin larguar, shqetësimi mbetej i madh.
-Na iku Hakiu, e nisi mbledhjen Kunati.
E kishim mbështetur gjithë luftën mbi Hakiun.
Tani ai nuk është më . Çfarë duhet të bëjmë?
-Të protestojmë, tha Titi.
Kjo është thikë pas shpine për opozitën.
Si mund të hiqet njeriu kështu, ndërkohë që vetë i kanë thënë që ka gjithë ato merita!
-Duhet ta shtojmë si kërkesë në protesta kthimin e tij në detyrë, tha Nardi, pasi ne kemi përgatitur gjithë ato pankarta me emrin e tij.
Ku t’i çojmë ato tani? Janë lekë ato.
-Unë do pyes njëherë këta çunat e Fierit dhe do t’u them, tha Fatmiri, por nuk më duket shenjë e mirë.
Me siguri duan të na mbyllin gojën.
-Kam frikë se duan të lënë policinë pa kryepolic tani që nisën protestat, tha Kunati, me qëllim që nëse ndodh gjë, të mos mbajnë përgjegjësi.
Ndaj duhet të veprojmë shpejt.
-Unë mendoj se kjo është e pandershme, tha Nardi.
Ai e dëgjoi që ne do bënim protesta dhe bën këtë lëvizje.
Rregullat e lojës nuk ndryshojnë gjatë lojës.
Hakiun duhet ta kthejë në detyrë sa të mbarojmë ne protestat.
Pastaj të bëjë ç’të dojë.
Me këtë llogjikë ai mund të largohet dhe vetë për të na sabotuar ne protestat, tha Nardi.
Po kjo nuk është ndershmëri.
I shqetësuar nga kjo situate, Kunati pyeti dhe ish- deputetin Ruli, si e shpjegonte ai zëvendësimin e Hakiut me një të komanduar.
-Po ç’të të them unë djalo! Kështu u bë kjo punë.
Kryeprokurorja e komanduar, kryetari i SHIK i komanduar, kryepolici i komanduar, Luli i komanduar, Mona e komanduar. Këtu vetëm Rama është i zgjedhur.