Pas lajmit se presidenti Trump ka vendosur të shkurtojë me 260 milionë dollarë shpenzimet e SHBA për OKB, Kunati i revoltuar është ulur dhe ka bërë një letër të hapur për presidentin Trump:
“I dashur president.
Unë që po të shkruaj jam ai djali që jam kunati i atij djalit tjetër të gjatë, për të cilin të foli atë ditë në maj vitin e kaluar Alptekini, ai shoku i Flynn, kur dolëm atë natë foto me Lulin tek restoranti.
E di që ndoshta nuk më mban mend mirë, por isha ai që po paguaja për foton.
Dëgjova për gjobën e parë që i keni vënë OKB, duke shkurtuar 260 milionë dollarë shpenzimet e SHBA për OKB.
Unë e di që ju jeni një njeri i madh, por e keqja është se njerëzit e mëdhenj nuk merren me gjëra të vogla, ose siç ka thënë Fahri Balliu, njerëzit e mëdhenj bëjnë gabime të mëdha.
Ne si PD kemi nisur një investigim për të gjetur sa lekë e ka shitur votën Edi Rama, dhe Nik Çollaku, që merret me këto punë, ka zbuluar se ka marrë 500 milionë euro nga Turqia.
Kur mendoj këtë shifër, atëhere gjoba juaj ndaj OKB është vetëm sa gjysma e parave që ka marrë për një votë Edi Rama.
Ne do përpiqemi të gjejmë dhe sa e kanë shitur shtetet e tjera si Gjermania, Anglia, Franca, Austria, Spanja etj, por me siguri që e kanë shitur më pak se Rama.
Ne si PD mendojmë që ti duhet të rrisësh gjobën ndaj OKB, por ti vësh dhe një gjobë personale Edi Ramës.
Ai është aktualisht në Neë York dhe ka mundësi që po prish lekët që ka marrë pë shitjen e votës.
Nuk është çudi të shkojë dhe tek kulla Trump.
Por ju nuk duhet ta zbusni zemrën.
Atij duhet t’i vini një gjobë personale të paktën sa dyfishi i OKB, me qëllim që t’i lërë rrugëve ato lekë që ka marrë.
Si ka mundësi që të jeni kaq zemërgjerë, që bota t’u votojë kundër dhe ju të mjaftoheni vetëm me 260 milionë dollarë.
Po Doktori një biznesmen t’i dilte kundër e shkrinte fare me gjoba, jo t’i dilnin të gjithë.
Sidoqoftë, ne do përpiqemi të gjejmë dhe fakte të tjera për shitje votash.
Kemi angazhuar Nik Çollakun, Tit Vasilin dhe Tur Zhejin, por me gjasa Rama e ka shit më shtrenjtë, se ka bërë bllof me foton që ka dalë me ty dhe i ka thënë nuk e shes kollaj këtë, se e kam mik.
Dhe Erdogani i ha këto.
Të lutem merrni në konsideratë kërkesën tonë dhe rrisni gjobën ndaj OKB dhe Ramës.
Nuk ka mundësi që Rama të marrë dyfishin e parave me të cilat ti ndëshkon gjithë botën për këtë votim.
Kjo gjobë është pa pikë kuptimi.
As unë në Bashki nuk bëja gabime të tilla.
I juaji, Kunati!”