Kunati ka shuar kuriozitetin e demokratëve për gjyqin që Luli i bëri sot ambasadorit Lu. Pas vizitës së ambasadorit në selinë e PD, pati shumë kuriozitet se çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që dhe Doktori, dhe njerëzit e Lulit kishin sulmuar ambasadorin.
Për këtë, Kunati sqaroi:
“Ishte një takim që ja vlente.
E vendosëm që në fillim që ambasadorin nuk do ta prisnim në oborr, por tek korridori.
E lamë të parkonte vetë makinën dhe roja i parkingut nuk e përshëndeti fare.
Kur e takoi në korridor, Luli i dha dorën me fytyrë të mërzitur, jo siç qesh zakonisht.
Për këtë, bëri shumë kujdes.
Kur hymë në sale, sapo u ul, ja numëroi të gjitha.
-Ajo që ndodhi në parlament ishte një masakër, filloi Luli.
Së pari, dua të them se kemi prova faktike që deputetja Kërpaci ka tri pika gjaku në bluzë, një mbi nivelin e gjoksit të majtë, një tek mënga e dorës së djathtë, dhe një në dorë.
Kjo e dorës hiqet, por ato të dyja mbi pulovër e kanë nxjerrë pulovrën jashtë përdorimit, pasi as në pastrim kimik nuk ja morën përsipër.
SHBA duhet të reagoje fort për këtë. Po ju nuk e bëtë.
Një deputete tjetër që është akoma e mitur, është shtyrë me dorën e majtë nga një deputet i PS, dhe kjo është simbolike, vetëm se ajo si fëmijë kishte kuriozitet për të parë kartën e tij të votimit.
Ne të gjithë kemi fëmijë dhe ata janë trazovaçë, por kjo nuk do të thotë t’i shtyjmë dhe t’i poshtërojmë sikur janë lecka.
Ai e bëri dhe SHBA nuk ka reaguar.
Pastaj erdhi momenti që Doktori u ngrit të fliste pasi nuk duron dot Taulant Ballën.
Rojet i zunë rrugën.
Ju e patë atë burrë plak duke u shtyrë me rojet.
Një prej tyre i ka shkelur dhe këmbën dhe ai e ka akoma shenjën e këpucës së Gardës mbi këpucën e tij.
Si mund të lejohet kjo?
Si mund të rrijë opozita nën thundrën e Gardës?
SHBA nuk ka reaguar.
Të dalim pak jashtë salle.
Ju e patë çfarë i ndodhi deputetit Noka.
Ju e dini që ai është deputeti më trim i parlamentit dhe i PD.
Një njeri që nuk është trembur as nga UDB, u detyrua t’i shpëtojë shurra në oborr të Kuvendit.
-Ta themë unë pse. Se banditët e drogës e kërcënuan dhe atij alamet burri i shpëtoi shurra para gjithë shqiptarëve.
SHBA nuk reagoi.
Tani kam një pyetje për ju?
Kur do reagoni dhe çfarë do thoni?
Ambasadori ngeli. Nuk dinte çfarë të thoshte.
-Unë zakonisht nuk reagoj pa u lidhur me Uashingtonin, tha.
Kur ndodhën këto krime të tmerrshme, në SHBA ishte ora 3 e mëngjesit.
Aty njerëzit flejnë.
Ata janë në zyrë kur këtu është ora 2 e mbasdites.
I pyeta çfarë të them? Çfarë thuhet në këto raste?
-Po qe se kryeministri ka vrarë, thuaj është burrë shteti, më thanë.
-Jo, nuk ka vrarë, iu thashë. Vetëm një vajze i është bërë pis bluza, se ndihmoi një grua plakë.
-Po mire, të paktën t’i quante njeri kokëpalarë, më thanë.
-Jo, iu thashë, nuk i kanë quajtur.
-Epo lere mos fol se nuk e meritoka as kryeministri, as ministri i Brendshëm, më thanë.
Me kaq e mbyllëm. Ai iku kokulur.”